Deputetët nga Kosova ftojnë shqiptarët e Luginës të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë
Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosjes (LV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë ftuar qytetarët shqiptarë në Luginën e Preshevës që të marrin pjesë masivisht në procesin e regjistrimit të popullsisë edhe në këto katër ditë sa ka mbetur afat deri më 31 tetor.
Në seancën e sotme, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka thënë se kanë mbetur edhe katër ditë për të shfrytëzuar masivisht këtë të drejtë për të luftuar mohimin e Serbisë për ekzistencën shqiptare dhe për të dëshmuar se Lugina e Preshevës është me shumicë shqiptare dhe se janë shumë edhe më shumë se sa Serbia mendon.
“Të dashur qytetarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, procesi i regjistrimit të popullsisë përfundon më 31 tetor, kanë mbetur edhe katër ditë që diskriminimit dhe pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi, t’i përgjigjeni me regjistrim. Kanë mbetur edhe katër ditë që ju ta përmbushni obligimin tuaj duke e bërë të mundur që për herë të parë pas dy dekadash të posedohen shifrat e sakta të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. Ta dëshmojmë se Lugina e Preshevës ka qenë, është dhe do të jetë e shqiptarëve dhe se synimi i tyre është një jetë e dinjitetshme, e mirëqenë, e integruar dhe e përfshirë në jetën institucionale. Pra kanë mbetur katër ditë për të shfrytëzuar masivisht këtë të drejtë për të luftuar mohimin e Serbisë për ekzistencën shqiptare dhe për të dëshmuar se Lugina e Preshevës është me shumicë shqiptare dhe se jemi shumë, e edhe më shumë se sa ata mendojnë”, ka thënë ajo.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se shqiptarët e Luginës duhet të kenë trajtimin e njëjtë si serbët në Kosovë.
Derisa ka përmendur diskriminimet që janë duke iu bërë shqiptarëve të tri komunave, ai ka bërë thirrje për regjistrim të tyre.
“Meqë aktualisht në Serbi është duke ndodhur procesi i regjistrimit të popullsisë, dua të shfrytëzoj këtë minutë për t’u bërë edhe një herë thirrje gjithë shqiptarëve të Luginës që ta shfrytëzojnë këtë moment për tu regjistruar, e për të marrë pronësi mbi identitetin e tyre etnik e qytetar. Kanë mbetur edhe katër ditë para se një proces i tillë të përmbyllet, prandaj e konsideroj si shumë të nevojshme që nga këtu, unë dhe gjithsecili prej jush t’ ju bëjmë thirrje gjithë bashkëkombësve tanë që ta shfrytëzojnë të drejtën e regjistrimit të përkatësisë kombëtare. Sepse ky është një moment historik për t’i rezistuar përndjekjes dhe për ta frenuar asimilimin e vendbanimeve historike të shqiptarëve të Luginës”, ka thënë Tahiri.
Procesi i regjistrimit të popullsisë në Luginë ka nisur më 1 tetor dhe përfundon më 31 të këtij muaji.