Deputetët nuk kanë hequr dorë nga shfuqizimi i Gjykatës Speciale
Kërkesa e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e 22 dhjetorit, për seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, do të mbetet edhe më tej dhe ajo do të votohet nëse arrin para deputetëve, kanë thënë deputetë të partive në pushtet dhe atyre opozitare.
Nait Hasani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), subjekt ky brenda koalicionit qeverisës në vend, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se kërkesa për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është bërë për ndryshimin e karakterit etnik të gjykatës dhe të mos gjykohen vetëm pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por të gjithë ata që kanë bërë krime të supozuara, përfshirë edhe individët e mundshëm nga bashkësitë tjera etnike në Kosovë.
“Ne e kundërshtojmë. E kam kundërshtuar dhe do ta kundërshtoj një gjykatë të tillë sepse nuk është një gjykatë që e dënon krimin, por që kërkon të dënojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin që e ka bërë. Kërkesa ime personale dhe e 43 të nënshkruarve, ka qenë, është dhe do të mbetet si kërkesë drejtuar Kuvendit për shqyrtimin e plotësim ndryshimin e ligjit, nga një Gjykatë Speciale që është tash me Dhoma të Specializuara, të krijohet një gjykatë në Kosovë, e cila do të merret me trajtimin e rasteve të dyshuara për krime edhe të komuniteteve të tjera, sikurse krimet serbe në Kosovë”, ka thënë Hasani.
Në anën tjetër, në një intervistë me “Radion Evropa e Lirë”, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se “nisma e deputetëve për Gjykatën Speciale nuk është një kërkesë për të sfiduar gjykatën, por është alternativë, sikurse që kanë edhe vendet e tjera të ish-Jugosllavisë: Kroacia, Bosnja dhe Serbia”.
Vendimi për Gjykatën Speciale i vitit 2015, sipas tij, mbetet në fuqi, por, lidhur me nismën e 43 deputetëve, ndonëse në dy tentime ka dështuar të dërgohet para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ai ka thënë, se çështja nuk është mbyllur.
Në anën tjetër, partitë opozitare mbeten të ndara në qëndrime lidhur me propozimin e 43 deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka deklaruar se është kundër kësaj nisme.
“Kosova dhe institucionet e Kosovës duhet të marrin guximin, jo të propozojnë zhbërjen e Gjykatës Speciale përmes shfuqizimit të Ligjit, por të marrin përgjegjësinë për trajtimin e krimeve, vrasjeve e torturave që kanë ndodhur në vendin tonë”, kishte shkruar ditë më parë në llogarinë e vet në “Facebook”, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Por, Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila në vitin 2015 e pati kundërshtuar dhe votuar kundër themelimit të Gjykatës Speciale, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se qëndrimi i këtij subjekti nuk ka ndryshuar na ai i vitit 2015. Sipas tij, pavarësisht se propozimi ka ardhur nga partitë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta konsiderojë si gjykatë të padrejtë për Kosovën.
“Nuk është hera e parë që iniciativat nuk i kemi parë prej nga kanë ardhur, por çfarë janë ato. Po ta kishim parë se prej nga ka ardhur iniciativa, që ka ngelur vetëm iniciativë, për ndryshimet kushtetuese për Forcat e Armatosura, ne do ta votonim kundër, por ne jemi deklaruar ‘për’ sepse është interes i Kosovës. Kështu që, prapë të njëjtën qasje do ta kemi. Ne do të jemi kundër kësaj gjykatë dhe do ta manifestojmë me votën tonë në seancë, kurdo që do të vjen. Po them, kurdo që të vjen, nëse vjen ndonjëherë, për arsye që ne kemi dyshimin e bazuar se ky mund të jetë thjeshtë një manipulim i (Hashim) Thaçit, në këtë rast dhe duket që mund mundë të ngelet më shumë në kufijtë e një kërcënimi sesa të një iniciative”, ka thënë Selimi.
Propozimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ka ngjallur reagime të ashpra të ambasadorëve të vendeve të Quintit. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, e ka cilësuar këtë veprim si “ngulje e thikës pas shpinës ndaj Amerikës”. Ndërkaq, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, e ka quajtur mbrëmjen e 22 dhjetorit, si “nata më e rrezikshme për Kosovën që nga përfundimi i luftës”.
Presidenti Thaçi, ka thënë se Kosova nuk do të lëkundet nga orientimi euroatlantik, ndërkaq që iniciativa e deputetëve duhet të kuptohet si një alternativë dhe jo si një sfidim i drejtësisë dhe jo si injorim apo ikje nga drejtësia.