Deputetët pajtohen se i kanë pagat e larta
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Blerim Kuçi dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu janë ‘përplasur’ rreth pagës së kryeministrit dhe pagës së deputetëve.
Kuçi ka thënë se vet Haxhiu e ka pagën 100 për qind më të madhe se sa kryeministri, derisa ai vet e ka 48 për qind pagën më të madhe se kryeministri.
“120 deputetë këtu që jemi në sallë e kemi pagën me të madhe se kryeministri i Kosovës. Edhe nismëtarët, ata që i prinë kësaj nisme e kanë pagën më të madhe se kryeministri. Shembull, deputetja Albulena Haxhiu e ka pagën 100 për qind më të madhe, ose merr në fund të vitit pagë më të madhe se kryeministri i Kosovës. Edhe unë tash që po flas e kam pagën 48 mbi pagën e kryeministrit të Kosovës. Disa shokë të mi që janë anëtarë të bordeve të disa ndërmarrjeve e kanë pagën 400 për qind më të lartë se kryeministri i Kosovës dhe ata takohen vetëm 12 herë në vit. Ose më mirë të themi kanë 12 ditë punë në vit”, ka thënë Kuçi.
Kjo ka nxitur replikën e deputetes Haxhiu, e cila ka thënë se pajtohet që paga e deputetëve është e lartë.
“Unë pajtohem plotësisht me ty që paga e deputetit është e lartë, dhe prandaj do të mbështes çfarëdo nisme që ka për qëllim uljen e pagës së deputetit”, ka thënë Haxhiu