Deputetët shqiptarë në Mal të Zi bashkojnë forcat: Gjuha shqipe me krenari do jehojë në Parlament
Forumi Shqiptar, që udhëhiqet nga Kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj, dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve, që drejtohet nga Mehmet Zenka, kanë formuar grup të përbashkët parlamentar në Kuvendin e Malit të Zi, ku Nik Gjeloshaj, do të jetë kryetar i këtij grupi.
Në një komunikatë të lëshuar nga këto dy parti thuhet se “ne vendosëm ta bëjmë këtë hap me synimin e bashkimit sa më të madh të shqiptarëve si dhe përfaqësimit të tyre autentik”.
“Vetëm së bashku mund të punojmë për integrimin dhe përparimin e shqiptarëve, ku kjo do të jetë pjesa kyçe e agjendës sonë të veprimit”, thuhet aty.
Veprimtaria e politike e këtij klubi, pohohet aty, “është unike në çdo aspekt, duke mbrojtur dhe promovuar njëzëri të drejtat e popullit shqiptar”.
“Në këtë mënyrë, tre deputetë unik shqiptar do të përfaqësojnë popullin e tyre me dinjitet dhe do të punojnë me përkushtim dhe për zhvillimin dhe avancimin e të gjitha komunave ku jetojnë shqiptarët”.
Tutje, ata pohojnë se nga ky klub i përbashkët i deputetëve, “gjuha shqipe me krenari do të dëgjohet dhe do të jehojë në Parlamentin e Malit të Zi”.
“Vazhdimi i integrimit të shqiptarëve, përmirësimi i standardit të tyre të jetesës dhe faktorizimi i plotë do të forcohen përmes klubit tonë”.
Gjithashtu, ata kanë njoftuar se do të përfaqësojnë një themel konkret për promovimin e vlerave evropiane dhe perëndimore, duke mbështetur dhe duke u angazhuar që Mali i Zi të bëhet anëtari i parë i ardhshëm i BE-së, si dhe duke forcuar pozitën e Malit të Zi në NATO.
“Klubi ynë do të mbajë marrëdhënie të shkëlqyera si me vendet e rajonit ashtu edhe me vendet perëndimore, në radhë të parë me SHBA-në, si aleatin tonë kryesor”.
“Jemi të sigurt se klubi ynë do ta përfaqësojë kombin tonë në mënyrë të ndershme dhe autentike edhe në qeverinë e re të 44-të që do të formohet në Mal të Zi”.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit në Mal të Zi, Mehmet Zenka, kandidoi në listën e koalicionit “Sëbashku” të drejtuar nga Partia Demokratike e Socialistëve, ku arriti që të zgjidhej deputet.
Nga ana tjetër, koalicioni Forumi Shqiptar, i drejtuar nga Nik Gjeloshaj, arriti që t’i marrë dy deputetë.
Ky bashkim i deputetëve shqiptarë vjen në një kohë kur në Mal të Zi janë duke u zhvilluar negociatat për formimin e qeverisë së re.
Milojko Spajiç, lideri i Lëvizjes Evropa Tani, si fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, është mandatuar nga presidenti malazez Jakov Milatoviç, për të formuar qeverinë e 44-të.