Deputeti i AAK-së: Kurdo që thirret seanca, do e shfuqizojmë ligjin për Specialen
Ndër 43 deputetët që nënshkruan për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, është edhe nënshkrimi i Shkumbin Demaliajt nga radhët e AAK-së. Ky i fundit ka deklaruar se ligji për Specialen duhet të shfuqizohet meqë nuk është i drejtë.
Në një prononcim për “Indeksonline”, Demaliaj ka thënë se Kosova nuk ka qenë kurrë më e izoluar dhe kjo krejt shkaku që Bashkimi Evropian nuk po tregon gatishmërinë për t`i ndihmuar qytetarëve.
Sipas tij, kurdo që Kryesia e Kuvendit të vendosë për seancën e jashtëzakonshme, deputetët janë të gatshëm ta shfuqizojnë me votë ligjin për Specialen.
“Ligji duhet të shfuqizohet. Po na akuzojnë se po e izolojmë veten, porse ne as në Mesjetë më të izoluar nuk kemi qenë. Asnjë element të gatishmëisë BE-ja nuk e ka treguar ndaj Kosovës për me e ndihmu apo me bë diçka edhe për qytetarët apo politikën. Drejtësia duhet të vendoset në të gjitha nivelet, por përse mos me u organizu dhe me u bë ajo gjykatë këtu. Kuvendi është veç në pushim. Kurse tash ne jemi një grup punues që po punojmë për rregulloren e Kuvendit. Nënshkrimet e deputetëve veç janë. Kur të tregojë gatishmëri Kryesia e Kuvendit, do e thirrë seancën e jashtëzakonshme”, ka thënë ai.
I pyetur nëse kjo çështje po ndodhë sa për të zbehur temën e demarkacionit dhe të liberalizimit të vizave, Demaliaj është shprehur se Kosova gjithmonë ka qenë e kushtëzuar.
Ai ka thënë se ndonëse institucionet kosovare kanë pranuar çdoherë secilën kërkesë dhe marrëveshje që ka vënë BE-ja, sërish janë 5 shtete brenda saj që nuk e njohin Kosovën.
“Demarkacioni është copëtim i trojeve shqiptare në mënyrë moderne, të shekullit 21. JO detyrim, por copëtim thjeshtë mos me i lënë shqiptarët t`i kenë trojet e veta nën kontroll, thonë hajt t`ua qesim jo demarkacionin, jo gjykatën, jo korrupsionin, e kjo tjetra… edhe prap nuk të njeh BE-ja. Institucionet e mëhershme i kanë pranuar të gjitha vetëm për mos t`i prishur raportet me BE-në për mundësi më të lehta të integrimit. Në radhë të parë 5 shtete të BE-së nuk na kanë njohur fare. Ne gjithmonë të kushtëzuar”, ka deklaruar ai.
“Indeksonline” ka pyetur Demaliajt se pse një iniciativë e tij për ta shfuqizuar Specialen nuk është marrë më herët, ndërkaq përgjigja e deputetit ka qenë kundër qeverisjes së Isa Mustafës.
Demaliaj ka thënë se qeverisja e Mustafës ka qenë e plogësht dhe është përshkuar me protesta, gaz, demonstrata.
“Tash është tjetër garniturë politike duke e drejtuar Qeverinë”, ka thënë ai./