Deputeti Beqa: Projektet e mëdha kanë filluar me qeverisjen e PDK-së
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se grupi parlamentar i kësaj partie ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes në mes të Qeverisë së Kosovës dhe investitorit amerikan “Contour Global” për realizimin e projektit energjetik “Kosova e Re”.
Ai ka thënë se ky projekt gjigant ka për qëllim hapjen e mijëra vendeve të reja të punës.
Beqa ka bërë me dije se projektet me mëdha kanë filluar me qeverisjen e PDK-së. “Fatmirësisht po realizohen po në Qeverinë ku bënë pjesë PDK-ja. Ne konsiderojmë se ky është njëri nga projektet më të rëndësishme për Republikën e Kosovës në prag të dhjetëvjeçarit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Projekti që synon pavarësinë energjetike të Kosovës është vazhdimësi e një pune të palodhshme e ish-ministrit të PDK-së, Blerand Stavileci. Ky është një fakt që projektet e mëdha që kanë filluar me qeverisjen e PDK-së do të jenë të prekshme për vite më radhë për qytetarët e Kosovës”, është shprehur ai, raporton “Epoka e re”.
Deputeti Beqa ka theksuar se “Kosova e Re” është investimi më i madh privat në historinë e vendit tonë, një investim prej 1,3 miliard euro.
“Gjatë periudhës së ndërtimit të termocentralit pritet të hapen 10 mijë vende të reja të punës, ku do të ulët ndjeshëm papunësia. Ne inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që të gjejë rrugë për projekte të tjera kapitale siç është projekti energjetik ‘Kosova e Re’”, ka thënë Hajdar Beqa, deputet i PDK-së.