Deputeti Berisha uron 24 qershorin, ditën nacionale të komunitetit egjiptian
Deputeti nga radhët e komunitetit egjiptian, Veton Berisha ka uruar 24 qershorin, ditën nacionale të komunitetit egjiptian.
Përmes një deklarate për medie, ai ka njoftuar se për shkak të pandemisë nuk do të këtë kremtime sikurse viteve të kaluara.
“Për vite me radhë 24 Qershori është simbolizuar me shumë aktivitete brenda Javës Egjiptiane, mirëpo për fat të keq këtë vit, ne nuk do të mund të kremtojmë këtë ditë siç e kemi festuar në vitet e kaluara për shkak të situatës aktuale që po ballafaqohemi me virusin Covid-19. Është e vërtetë që e gjithë bota duke përfshirë edhe Kosovën, po ballafaqohemi me virusin Covid-19, por për fat të keq komuniteti egjiptian ballafaqohet në jetën e përditshme: me virusin e quajtur ‘diskriminim’, virusin ‘racizëm’, virusin e ‘pa punësimit’ dhe shumë viruse të tjera që ende nuk kemi arritur të gjejmë ilaq për ti shëruar këto sëmundje në Kosovë. Shpresoj me përkushtim të qeverisë, institucioneve përgjegjëse dhe shoqërisë kosovare, ne mund ti kalojmë jo vetëm këto sfida por duhet që të gjithë së bashku të marrim përgjegjësi dhe ti kryejmë obligimet të cilat na mundësojnë Kushtetuta dhe Ligjet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Berisha.
Ai ka falënderuar mediet për rolin e çmueshëm në informimin, promovimin dhe trajtim të dinjitetshëm të komunitetin egjiptian.