Deputeti Elbert Krasniqi i bashkohet grupit parlamentar të Vetëvendosjes
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku me anëtarët e Kryesisë, Arbërie Nagavci dhe Xhelal Sveçla, kanë pritur një delegacion të Partisë Egjiptiane IRDK, kryesuar nga kryetari Elbert Krasniqi me bashkëpunëtorë Xhevdet Neziraj dhe Fazli Stollaj.
Në takim është biseduar mbi situatën politike në vend, me theks të veçantë për zgjedhjet e fundit, në të cilin qytetarët votuan me shumicë për ndryshim duke e bërë Vetëvendosjen fituese, si subjektin e parë në vend dhe grupin më të madh në legjislaturën e shtatë në Kuvend.
Po ashtu, në këtë takim është biseduar për gjendjen në të cilën ndodhet komuniteti egjiptas.
“Duke parë si parësore bashkëpunimin e ngushtë ne u dakorduam që deputeti i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës, z. Elbert Krasniqi, të jetë pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në legjislaturën e shtatë. Nga ky takim doli edhe iniciativa që të dy subjektet të trajtojnë sfidat me të cilat komuniteti egjiptas ballafaqohet dhe të propozohen masat për qeverinë e ardhshme Kurti, në mënyrë që pozita e këtij komuniteti, por jo vetëm, të përmirësohet sa më shumë dhe më shpejtë”, është theksuar në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
/Epoka e re/