Deputeti gjerman ia kujton Serbisë sulmin terrorist në Banjskë, kërkon përgjegjësi
Deputeti gjerman dhe raportuesi për Kosovën në Bundestag, Thomas Hacker, ka kërkuar që përgjegjësit e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit të dalin para drejtësisë.
Ai ka thënë se pikërisht për këtë çështje së bashku me një delegacion gjerman do të flasin me Aleksandër Vuçiqin në Beograd.
Diplomati gjerman ka vlerësuar si të papranueshëm faktin që autorët e atij sulmi nuk po përballen me drejtësinë.
Më tutje, ai ka thënë se është pak e besueshme që presidenti i Serbisë nuk ka ditur asgjë për atë operacion.
“Delegacioni ynë do të flas për këtë çështje kur do të udhëtojmë për në Beograd. Fatmirësisht sulmi në Banjska nuk ishte edhe aq shpërthyes sa ishte menduar në fillim sepse kosovarët e menaxhuan mirë situatën. Pas asaj çfarë ndodhi në Banjska, presidenti Vuçiq premtoi se do t’i ndjek ata që ishin përgjegjës”.
“Njëri nga përgjegjësit mbajti një natë burg dhe doli pastaj. Ne e kemi përsëritur vazhdimisht se Serbia duhet ta hetoj këtë rast edhe nëse këtu ka përfshirje të njerëzve të afërt më partinë e Vuçiqit. Është me të vërtetë e vështirë të besohet nga jashtë që ai nuk ka ditur asgjë për sulmin në Banjska duke pasur parasysh fuqinë dhe kontrollin që Vuçiq ka në Serbi”, ka thënë Hacker për “Tëvë1”.
Deputeti i Bundestagut gjerman, ka kërkuar një dinamikë të re edhe në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai është shprehur kritik për formën se si e ka ndërmjetësuar deri më tani këtë proces diplomati sllovak, Miroslav Lajçak.