Deputeti gjerman: Liberalizimi i vizave mund të jetë dhuratë për Krishtlindje
Deputeti gjerman i CDU-së, Peter Beyer, gjatë një konference për medie me kryeministrin në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka thënë se ai nuk mund të jap ndonjë datë për liberalizimin e vizave, por beson se kjo mund të jetë një dhuratë për Krishtlindje.
Ai ka thënë se Gjermania e mbështet liberalizmin e vizave për Kosovën
“Gjermania është mbështetës i sinqertë për Kosovën dhe integrimin në BE, edhe për liberalizim. Ka pasur edhe data për liberalizim. Ne nuk kemi dhënë asnjëherë datë, ne kemi folur për procesin. Megjithatë ne jemi vetëm një vend, ka edhe shumë shtete që duhet përkrahur këtë proces. Është e padrejtë që Kosova nuk ka liberalizim të vizave. Unë nuk do të jap datën, mirëpo ndoshta do të jetë dhuratë për Kërshëndella”, ka thënë Beyeri.
Ndërsa, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka thënë se ende nuk ka ndonjë datë të saktë për liberalizimin e vizave, por ka theksuar se kancelarja Angela Merkel e mbështet integrimin e rajonit në BE.
“E luta z. Beyerin që ta mbështesë rajonin, ashtu siç është deklaruar edhe kancelarja. Nuk kemi ende një datë të saktë për liberalizimin e vizave”, ka thënë Haradinaj.