Deputeti gjerman tregohet i ashpër me BE-në: Serbia ishte pajtuar t’i largojë strukturat paralele, por tash i mbështet ato
Mbyllja e katër komunave paralele serbe, ka nxitur reagime të shumta nga zyrtarët ndërkombëtarë.
Madje, Bashkimi Evropian (BE) i ka cilësuar këto si veprime të njëanshme që mund të nxisin tensione. Për këtë gjë ka reaguar deputeti i Bundestagut gjerman, Boris Miajtoviq.
Mijatoviq ka thënë se BE-ja është treguar e pandjeshme në këtë rast.
“Institucionet e drejtuara nga serbët në Kosovë? A nuk është kjo pjesë e konfliktit të vazhdueshëm? Beogradi vazhdon të mbështesë strukturat ilegale, por ka nënshkruar disa dokumente për tërheqjen e institucioneve zyrtare. Arrita sot në Prishtinë dhe mora shumë pyetje. BE-ja është kaq e pandjeshme”, ka shkruar Mijatoviq në platformën “X”.
Ndërsa zëdhënësi i BE-së, Peter Stano është shprehur se unioni ka reaguar ndaj të dyja veprimeve që janë ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës, derisa ka theksuar se hapat e njëanshëm mund të çojnë drejt përshkallëzimi i situatës.
Stano ka kërkuar që të palët të kthehen tek dialogu i lehtësuar nga BE-ja.
“Pra, natyrisht se është shqetësuese të shihet se sekuencimi i hapave të njëanshëm mund të çojë drejt diçkaje që ne nuk duam ta shohim e kjo është përshkallëzimi i situatës në terren sepse një gjë është e qartë: nuk i kontribuon qetësimit të situatës dhe t’i bëjnë njerëzit të ndjejnë se jeta e tyre po përmirësohet. Pra krejt e kundërta. Prandaj kjo është e rëndësishme që të kthehemi tek dialogu i lehtësuar nga BE-ja dhe të angazhohen shumë seriozisht”, ka thënë Stano.