Deputeti Hoti për vitin 2020 kërkon dyfishim të buxhetit për sektorin e Bujqësisë
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës bëri thirrje që Qeveria e Kosovës ta dyfishojë buxhetin në sektorin e Bujqesisë në vitin 2020.
Ai ka theksuar se viti 2020 duhet të jetë kthesa e madhe e investimeve dhe hedhja e bazave për sektorin e bujqësisë si shtyllë bartëse e zhvillimit ekonomik dhe rritjes së vendeve të punës.
Deputeti i Nismës Socialdemokrate i bëri thirrje Qeverisë, Komisionit Funksional për Bujqësi dhe Kuvendit që të shtojnë masat e monitorimit dhe kontrollit për ndarjen e granteve dhe subvencioneve në Ministrinë e Bujqësisë, në veçanti në AZHB, sepse sipas deputetit Enver Hoti ka indikacione të cilat dëshmojnë se nga këto mjete përfitojnë individë të cilët fare nuk merren me këto punë dhe nuk realizojnë asnjë projekt në fushën e Bujqësisë.
Ai ka thënë se si rezultat i këtyre, me së shumti pësojnë fermerët e ndershëm të cilët me punën e tyre të përkushtuar mundohen të mbijetojnë nga djersa e tyre.
/Epoka e re/