Deputeti i LV-së kritikon Gërvallën për Gani Jakupin: Paga prej 7 500 euro nuk është modeste
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka kërkuar sqarime nga Ministria e Punëve të Jashtme për angazhimin e Gani Jakupit si ekspert i jashtëm.
Rrahmani ka bërë me dije se nuk ka kuptim të angazhohet një ekspert i tillë pa e ditur deputetët se çfarë do të bëjë ai.
Në emisionin “InfoNata” në “Tëvë1”, Rrahmani ka kritikuar edhe kryediplomaten Donika Gërvalla, e cila ka thënë se kompensimi financiar që do të marrë Jakupi është një shumë modeste.
Sipas tij, paga prej 7 mijë e 500 euro nuk është pagë modeste.
“Paga prej 7 500 euro nuk është modeste, është më e lartë se e kryeministrin dhe presidentes. Do duhej të dinim cili është programi i cili ka me u marrë e ka me punuar ky person për pagën me të cilën paguhet. S’ka kuptim angazhimi i një eksperti pa e ditur deputetët se çfarë ka me bërë”, është shprehur Rrahmani.