Deputeti i LV-së: Kurti mund t’i ndërrojë ministrat sa çel e mshel sytë
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti mund t’i ndërrojë ministrat nëse ka ndonjë dyshim sado të vogël. Sipas Dugollit, Kurti mund t’i ndërrojë ministrat “sa çel e mshel sytë”.
Dugolli thotë se i pari i qeverisë e ka besimin e plotë.
“Z. Kurti, ministrat që i ka emëruar, kur do dhe nëse e ka një argument sado të vogël, është shumë autonom në këtë drejtim dhe ia njeh këtë të drejtë ligji dhe Kushtetuta, e ndërron sa çel e mshel sytë… Jo, nuk ka hiç problem sepse, fatbardhësisht, e ka besimin e plotë, e ka mazhorancën e palëkundur”, ka thënë Dugolli në RTV 21.
Prokuroria Speciale ka nisur dje hetime pas raportimeve për afera në tri ministri.
Partia Demokratike e Kosovës ka publikuar një dokument, duke thënë se dy ministrat e qeverisë Kurti, në ato që udhëheqin Donika Gërvalla dhe Fitim Damka, janë të pëfshira në një aferë korruptive.
Sipas PDK-së, kjo aferë e dyshimtë dhe e kundërligjshme ka mundësuar keqpërdorimin e rreth 1.1 milion eurove të taksapaguesve të Kosovës.
“Fjala është për një ‘Memorandum Bashkëpunimi’ në mes të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritas-it Zviceran, në bazë të të cilës, buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet kundërligjshëm në shumë prej 1 milion e 40 mijë euro. Kjo marrëveshje, është nënshkruar dhe tashmë është duke u realizuar por një gjë e tillë ka ndodhur vetëm pas Pëlqimit zyrtar të cilin e ka nënshkruar Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schëarz, e cila i ka hapur rrugë nënshkrimit të kundërligjshëm të saj, duke inkurajuar dhe lejuar kështu keqpërdorimin e rreth 1 milion e 40 mijë eurove”, ka thënë deputetja Musliu-Shoshi.
Përveç Gërvallës e Damkës, në medie është shkruar edhe për një aferë korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës që udhëhiqet nga Liburn Aliu.