Deputeti i LV-së: Nga takimi në Bruksel doli në pah se Hoti di të flasë serbisht
Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për medie ka thënë se takimi i djeshëm i kryeministrit Avdullah Hoti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq nuk ka qenë produktiv.
Deputeti Artan Abrashi, ka thënë se e vetmja gjë që ka dalë në pah nga ai takim është se Hoti di të flasë serbisht.
“Dialogu po zhvillohet pa platformë. Nga gjithë ai takimi i djeshëm doli në pah vetëm që Hoti flet gjuhën serbe. Zotëri Hoti nuk ka kredibilitet dhe legjitimitet për të përfaqësuar Kosovën”, ka thënë Abrashi.
Ndërsa duke folur për tubimin e 12 qershorit të Vetëvendosjes, ka thënë se as ky organizim apo ndonjë tjetër i partisë në kohën e pandemisë nuk ishte bërë kundër rregullave që parandalojnë përhapjen e koronavirusit.
“LV-ja konsideron së të gjitha organizimet kanë qenë në përshtatje me rregullat që i rekomandojnë edhe organizatat shëndetësore. Të gjitha organizimet që i kemi bërë janë në përputhje me rregullat, që ne mendojmë se i jemi përshtat në mënyrën më të mirë” është shprehur Abrashi.