Deputeti i LV-së takohet me Ramën, bisedojnë për projektet në ‘Kodrën e Trimave’
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka zhvilluar takim me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.
Rrahmani ka thënë se takimi me Ramën ka qenë konstruktiv.
Në këtë kontekst, Rrahmani, ka njoftuar se temë qendrore e takimit me Ramën ka qenë lagja “Kodra e Trimave” prej së cilës vjen deputeti nga radhët e Vetëvendosjes.
“Studimi i fizibilitetit për ‘Kodrën e Trimave’, projektet të cilat janë duke u zhvillur dhe projektet që priten të fillojnë, ndërtimi i unazës së kryeqytetit si një nevojë jetike për funksionimin normal të Prishtinës dhe ndërtimi i rrugës ‘A’ i vonuar kaq shumë, duhet të përfundojë sa më shpejtë”.
“Prishtina është e të gjithëve dhe të gjithë duhet të japim kontributin tonë. Ashtu sikurse është i obliguar kryetari Rama, jemi të obliguar të punojmë e të angazhohemi edhe ne si deputetë, ministra, qeveri e secili që ka pozita publike në këtë drejtim”, ka shkruar Rrahmani në “Facebook”.
Më tutje, Rahmani ka thënë se Tirana, Shkupi dhe të gjitha kryeqytetet tjera kanë ikur shumë larg nga Prishtina me zhvillim, andaj ka theksuar se duhet bashkuar për kryeqytetin.