
Deputeti i LV-së viziton Burgun Muze të Prishtinës, rikthen në mendje kujtimet e hidhura
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ish i burgosur politik që i mbijetoi masakrës së Dubravës, ka vizituar sot së bashku me familje Burgun Muze të Prishtinës.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se prej prillit të vitit 1981 e deri në përfundim të luftës, për nënën dhe familjen e tij, burgu i Prishtinës ishte vendi më i vizituar në gjithë kryeqytetin.
“Me që sot nuk kisha ndonjë angazhim në Kuvend, i kushtova pak më shumë kohë familjes. Nëna Fetije, ndonëse e shtyer në moshë, ende nuk e kishte vizituar Burgun Muze të Prishtinës. Sot, së bashku me nënën dhe bashkëshorten time Sherifen e vizituam së bashku burgun. Ndonëse nuk e pati të lehtë t’i rikthen kujtimet e hidhura të asaj kohe, nënës ende i kujtoheshin shumë detaje nga vizitat e shumta që m’i kishte bërë në burg. Prej prillit të vitit 1981 e deri në përfundim të luftës, për nënën dhe familjen time, burgu i Prishtinës ishte vendi më i vizituar në gjithë kryeqytetin”, ka shkruar Dugolli.