Deputeti i PDK-së: Shaban Shala ishte veprimtar i paepur i çështjes kombëtare
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ish-eprori i lartë i UÇK-së, Ferat Shala, ka përkujtuar gjeneralmajorin Shaban Shala, në 10-vjetorin e vdekjes së tij.
Me këtë rast, Shala ka thënë se është krenar që ka pasur fatin ta ketë bashkëluftëtar gjeneralmajorin e UÇK-së.
“Ndjehem krenar që kam njohur dhe kam pasur fatin ta kem si bashkëpunëtorë dhe bashkëluftëtarë një veprimtarë kaq të madh të kombit tonë, protagonist i zhvillimeve të rëndësishme për Kosovën dhe personalitetet me vlera mbarëkombëtare që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit tonë”, ka shkruar Shala në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Shalës:
Sot shënohet përvjetori i ndarjes nga jeta të gjeneralmajor Shaban Shala!
Veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, ish-i burgosur politik, bashkëthemelues e drejtues i KMDLNj-së, pjesëtar dhe udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëpunëtorë i komandantit legjendar Adem Jashari dhe komandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës.
Ai do të kujtohet përherë për kontributin që ka dhënë në ngritjen e njësiteve të parë të UÇK-së në Drenicë, në zhvillimin dhe forcimin e UÇK-së, në luftën për lirinë e Kosovës dhe në ndërtimin e shtetit të pavarur të Kosovës.
Ndjehem krenar që kam njohur dhe kam pasur fatin ta kem si bashkëpunëtorë dhe bashkëluftëtarë një veprimtarë kaq të madh të kombit tonë, protagonist i zhvillimeve të rëndësishme për Kosovën dhe personalitetet me vlera mbarëkombëtare që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit tonë.
Gjeneralmajor Shaban Shala, ishte një nga veprimtarët e paepur të çështjes kombëtare që një jetë të tërë i shërbeu atdheut, andaj puna, veprimtaria dhe virtytet kombëtare të tij do të mbesin frymëzim i pashtershëm dhe udhërrëfyes për punë, dashuri dhe përkushtim ndaj atdheut.
Foto: Likovc, Drenicë, 1998. Shaban Shala me bashkëluftëtarë!