Deputeti i VV-së kërkon largimin e menjëhershëm të Vitisë: Kërko falje për dështimet
Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Karameta, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, duke thënë madje se ai duhet të kërkojë falje për dështimet në punën e tij.
Në një shkrim në ‘Facebook’, deputeti i listës “Guxo” ka akuzuar Vitinë se “i ka humbur koncentrimi për t’u marrë me çështje ministrore”.
Duke nisur nga shtesat prej minimum 60 eurosh për stafin shëndetësor, Karameta ka akuzuar Vitinë se ishte vonuar me vaksina, me insulina e edhe për heparina dhe eritropoetinat.
“I nderuar Ministër, ndonjëherë mbështetjen dhe mbrojtjen për tjetrin mund t’a japim për asye të respektit ndaj marrëveshjeve dhe besnikërisë, siç e kemi bërë në rastin tënd kur ishit pak vonë me vakcinat, shumë të vonshëm me insulinat (për diabetikët), e mbase tash vonë edhe me heparinat dhe eritropoetinat (per pacientë në dializë). Pra, tani mjaftë është mjaftë!!! Më as për hatër të besnikërisë nuk do t’i dalë në mbrojtje gjërave që janë në dëm të qytetarëve”, ka shkruar ai.
Karameta ka vazhduar se Vitia duhet të largohet nga Ministria e të fokusohet në Prishtinë, ku është kandidat për kryetar në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet lokale. Sipas tij, arsye shtesë për këtë është se “ju nuk kishit zotësinë për t’i bindur apo krijuar mentalitet human kolegëve tuaj nga Ministra e Finacave, që të tillët të reflektonin humanitet ndaj mjekëve e mjekësisë në përgjithësi, pra të dalin nga gëzhoja e të menduarit vetëm aritmetik”.
“Nuk e di përse, por kësaj radhe qeverisëse shumë herë nuk arritët ta përballonit as presionin, e të qëndronit në kreativitet e punët tuaja të përditshme. Z. Ministër, merru me Prishtinën, është shumë të qëndrosh deri në tetor aty! Nuk jam këtu për të shkruar vetëm dështimet e tua, e di që ke bërë edhe shumë punë të mira, e disa janë në proces e sipër, por tani nga ti kërkohet diç tjetër. I nderuar z. Vitia, nga pak gjëra që ua kam lakminë është guximi yt për të kërkuar falje. Andaj, merr guximin dhe kërko falje qytetarëve e mantelbardhëve, sepse kështu sadopak do të çliroheshit ju dhe mbase do të ngjallësh përsëri shpresën”, ka përfunduar shkrimin e tij Karameta.
Vitia është duke u kritikuar nga opozita dhe shoqëria civile për menaxhimin e pandemisë pas rritjes enorme të rasteve të reja dhe të vdekjeve si pasojë e COVID-19 javëve të fundit. Në muajin gusht janë thyer rekordet e zeza për raste të reja, me shifrën më të lartë që ka shkuar në mbi 2500 raste të reja. Aktualisht janë rreth 25 mijë raste aktive.