Deputeti i VV-së tregon se si duhen renditur kronikat në edicionin e lajmeve
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli është marrë me atë se si duhen renditur kronikat në një edicion të lajmeve.
Dugolli, përmes një shkrimi në Facebook ka kritikuar stafin e lajmeve në Radio Televizionin e Kosovës.
Sipas tij, mbledhja e Qeverisë e adresimi i ministrit të Shëndetësisë, do të duhej të dëgjohej nga fillimi deri në fund dhe jo të ndërprehej në gjysmë adresimi i ministrit.
“Nuk po gjykoj për rëndësinë e kronikave, por gjithsesi që do mund të presin pas mbarimit të konferencës”, shkruan ai në llogarinë e tij në Facebook.
Shkrimi i plotë i Dugollit:
Radio Televizioni i Kosovës (RTK) është publik dhe duhet t’i shërben interesit të përgjithshëm të publikut.
Sot, nuk e di çka kishte më të rëndësishme për informim të qytetarëve se sa vendimet nga mbledhja e qeverisë, e sidomos adresimi për opinion i ministrit Vitia pas mbledhjës. Filloj pak me transmetim të kësaj konference, por çuditërisht ndërpritet për të vazhduar me kronika tjera. Nuk po gjykoj për rëndësinë e kronikave, por gjithsesi që do mund të presin pas mbarimit të konferencës.
Sot, qytetarët më së shumti kishin nevojë të informoheshin në detaje rreth vendimeve të reja të qeverisë, udhëzimeve dhe informatave tjera rreth betejës me COVID-19.