Deputeti Kastrati tregon se si u “kontrabandua” projektligji për tekstet shkollore
Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati ka kritikuar pushtetin duke thënë se kanë keqpërdorur miliona euro duke dhënë kontrata njëburimore. Ai gjithashtu ka thënë se kjo qeveri i ka dhënë “goditje fatale” demokracisë teksa ka treguar se projektligji për tekstet shkollore është kaluar në lexim të parë në Kuvend si ‘ligj i kontrabanduar’. Ai madje ka numëruar live në studio votat e deputetëve kur edhe e kanë kaluar projektligjin, të cilat sipas tij janë të pamjaftueshme për miratimin e një projektligji.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës [PDK], Ardian Kastrati për projektligjin për tekste shkollore i cili ka kaluar në leximin e parë, është shprehur se kjo qeveri ka kaluar ‘ligj të kontrabanduar’ dhe me vota ‘të vjedhura’, dhe pa pasur kuorum në Kuvend.
Madje, deputeti Kastrati ka numëruar ‘live’ votat e deputetëve në studion e ‘Debat Plus’ të Televizionit Dukagjini.
Kastrati teksa ka prezantuar dy video të ndryshme nga Kuvendi i Kosovës, ku në videon e parë janë 60 vota, 59 pro dhe 1 abstenim dhe tek e dyta dëgjohet duke thënë se janë 62 vota.
“Tekstet shkollore, miliona ma shumë me tekste shkollore sesa që janë pagua. Kulmi është: vjedh me energji, me rezerva shtetërore, kontrata një burimore, ujërat nëntokësore, 7mijë e 500 euro për Gani Jakupin, ndërhyrje në drejtësi me i ndalë hetimet, Tekste shkollore”, ka thënë Kastrati teksa ka shtuar se “kulmi” i marrëzisë ishte “vjedhja e votave”.
“Në fund, ka vjedh edhe vota në Kuvendin e Kosovës. Nuk ka ndodh kurrë në historinë parlamentare të Kosovës, nuk ka ndodhur kurrë, hiq që 20 e diçka vite me kalu ligje të kontrabanduara që për mu janë vota të vjedhura”.
Kastrati ka shtuar se janë “vjedhur vota” dhe se kjo është “goditja fatale” për demokracinë.
“Kanë vjedhur vota. Kjo është goditje më fatale që iu është jep demokracisë në Kosovë. Ligji për tekste shkollore, shikoje videon time, në profilin në rrjetin social “Facebook”. Ne kemi numëruar vota një nga një, nuk po du me thane fjalën ‘I kom nxan me pelë për dore’. Këta kanë kaluar ligj të kontrabanduar, kanë kaluar ligj me 60 vota, pa kuorum, 59 pro dhe 1 abstenim, kanë thënë kaloi ky ligj”, shtoi Kastrati.