Deputeti Lushtaku viziton Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin: Vendin e kanë mes nesh, aty ku historia i ka skalitur si heronj
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka vizituar çlirimtarët në Hagë. Lushtaku ishte i shoqëruar nga ish-këshilltari i Presidentit Thaçi, Ismail Syla dhe anëtarët e kryesisë së PDK-së në NRW të Gjermanisë, Ilir Duraku dhe Bekim Prenku.
“Sot vizituam Çlirimtarët tanë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Me zemra të forta, shpirtra të qetë dhe krenari të palëkundur, ata dëshmojnë se e vërteta e luftës sonë të drejtë për lirinë e Kosovës nuk mund të sfidohet nga padrejtësitë”, ka shkruar ndër tjera në njoftimin e tij në “Facebook”, deputeti Lushtaku.
Lushtaku ka thënë se vendi i çlirimtarëve nuk është në Hagë por aty ku historia i ka skalitur si heronj dhe burra të lirisë.
Njoftimi i plotë:
Sot vizituam Çlirimtarët tanë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Me zemra të forta, shpirtra të qetë dhe krenari të palëkundur, ata dëshmojnë se e vërteta e luftës sonë të drejtë për lirinë e Kosovës nuk mund të sfidohet nga padrejtësitë.
Ata janë mishërimi i sakrificës dhe qëndresës së popullit tonë. Vendin e tyre e kanë mes nesh, aty ku historia i ka skalitur si heronj dhe burra të lirisë. Dhe aty do të kthehen, sepse drejtësia gjithmonë triumfon!.