Deputeti nga Estonia kërkon nga Kosova e Serbia të punojnë në deeskalimin e situatës në veri
Kryetari i Grupit të Miqësisë Estoni-Kosovë, Parlamenti i Estonisë, Kristo Enn Vaga, ka thënë se shteti i tij po përcjell me vëmendje situatën e sigurisë në Kosovë.
Nga Prishtina ai u ka bërë thirrje të dy shteteve që të punojnë për deeskalimin e situatës.
Madje ka garantuar mbështetjen e shtetit të tij në çdo hap për Kosovën.
Vaga pohoi se do të punojë me vendet anëtare që të gjendet paqe në rajon. “Diskutuam për situatën në Kosovë. Parlamenti i Estonisë me vëmendje e ka përcjell situatën. Kosova po punon, por edhe duhet që të punojë në deeskalimin e situatës. I bëjmë thirrje Serbisë që të punojë në deeskalimin e situatës që të gjendet një zgjidhje”, ka thënë Vaga, raporton Ekonomia Online.
Fitore Pacolli, kryetare e Grupit të Miqësisë Kosovë-Estoni, ka bërë me dije se në këtë takim është përmendur bashkëpunimi në fushën e digjitalizimit dhe investimeve.
Deputetja Pacolli ka thënë se në këtë takim është diskutuar edhe në lidhje me sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës, ku sipas saj, Kosova e ka mbështetjen e plotë të shtetit të Estonisë.
“Gjatë dy viteve të fundit ka pasur shkëmbime të shpeshta ndaj dy shteteve. Interesi mes dy shteteve është shumë i madh që të vazhdojmë bashkëpunimin tutje dhe të bashkëpunojmë në fushat e digjitalizimit. U përmend sulmi terrorist i cili u organizuar më 24 shtator, këtu e kemi mbështetjen e fortë të Estonisë sa i përket luftës tonë për demokraci dhe për paqen në rajon. Po ashtu sa i përket edhe të drejtës së Kosovës për të marrë pjesë në organizata ndërkombëtare si shtet më të drejta të plota, për të mos u bllokuar nga Serbia. Gjithashtu dhe mbështetje e parezervë të Estonisë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, sidomos dhe në anëtarësim në BE”, ka thënë deputetja Pacolli.