Deputeti portugez: Nuk ka arsye që Kosova të hasë në pengesa në rrugën e saj drejt BE-së

17 tetor 2022 | 17:04

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Portugalisë, Sergio Sousa Pinto, ka thënë se shteti i tij do ta përkrahë Kosovën sa i përket liberalizmit të vizave.

Ai pas takimit me deputetët e Kuvendit të Kosovës në Prishtinë, pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme, shtoi se mbështetje do të ketë Kosova edhe për anëtarësim në BE.

Miqësi shumëvjeçare ai e ka quajtur raportin me Kosovën, duke ripërsëritur mbështetjen në të gjitha fushat.

“Jemi këtu për ta treguar mbështetjen tonë. Ne do ta mbështesim Kosovën, ngaqë kemi një lidhje emocionale me ju, numër i madh i forcave të Portugalisë janë në Kosovë. Do t’ju mbështesim për liberalizimin e vizave dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian. E ardhmja e Kosovës është në union dhe do ta keni të gjithë mbështetjen tonë diplomatike”, ka thënë Pinto.

Ndër të tjera, përfaqësuesi i delegacionit portugez, Sergio Sousa Pinto, ka falënderuar Komisionin për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke bërë me dije se Parlamenti i Portugalisë së shpejti do ta formojë Grupin e Miqësisë me Kosovën, shkruan “Epoka e re”.

“Grupi i Miqësisë do të formohet dhe Kosova do të trajtohet me prioritet”, ka thënë Pinto.

Duke folur për procesin e integrimeve, Pinto ka vlerësuar se nuk ka asnjë arsye që Kosova të hasë në pengesa në rrugën e saj drejt BE-së.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, i ka uruar mirëseardhje këtij delegacioni dhe e ka falënderuar për ndihmën e deritanishme që Portugalia ka treguar ndaj vendit tonë.

Në vazhdim të takimit Abazi ka folur për angazhimet parlamentare që ndërlidhen me proceset integruese të vendit, përkatësisht sfidat dhe sukseset me të cilat ballafaqohen në këtë rrugëtim.

Duke folur për prioritetet e politikës së jashtme të vendit, kryetari Abazi nënvizoi rëndësinë e liberalizimit të vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në NATO, si dhe njohjen e shtetësisë së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë marrë këtë vendim.

Për të qenë edhe më të suksesshëm në përpjekjet integruese të vendit tonë, Abazi kërkoi që mbështetja dhe bashkëpunimi portugez të thellohen edhe më tej, veçanërisht bashkëpunimi ndërparlamentar.

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan se shkëmbimi i përvojave ndërmjet të dyja parlamenteve është i mirëseardhur, ndërkaq u angazhuan që ky bashkëpunim të thellohet dhe zgjerohet edhe në fusha të tjera, veçanërisht në atë të ekonomisë, turizmit dhe arsimit.

Në kuadër të takimeve me anëtarët e komisioneve të Kuvendit të Kosovës, të hënën delegacioni i Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Portugalisë u prit edhe nga Komisioni për Integrim Evropian.

Diskutimi u zhvillua kryesisht mbi rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Kryetarja e komisionit, Rrezarta Krasniqi, duke shprehur mirënjohje për vizitën e delegacionit nga parlamenti i Portugalisë, falënderoi mysafirët për mbështetjen që Lisbona zyrtare ka dhënë për Kosovën në procese të ndryshme.

Krasniqi ka theksuar nevojën që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen, veçanërisht në sferën e integrimit euroatlantik e të konsolidimit të mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Sipas saj, tani, në kohën kur lufta në mes të Ukrainës dhe Rusisë është duke ndodhur, më shumë se kurrë të gjitha shtetet evropiane duhet të qëndrojnë të bashkuara.

Sergio Sousa Pinto, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Portugalisë, siguroi anëtarët e komisionit të Kuvendit të Kosovës se shteti i tij do të bëjë gjithçka që është e nevojshme që Kosova të jetë anëtare me të gjitha të drejtat sikurse shtetet e tjera të BE-së.

Anëtarët e Komisionit për Integrim Evropian ngritën shqetësimin e tyre lidhur me stagnimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Ata thanë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara dhe se liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në NATO janë dy aspirata të kamotshme të qytetarëve të Kosovës.

Takimi u përmbyll me zotimin se për të gjetur ura të reja bashkëpunimi midis Kosovës dhe Portugalisë në fusha të ndryshme të interesit reciprok.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
18.10.2022 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Prizren 1.…