Deputeti Reçica dhe kryetari Aliu vizitojnë familjen e heroit Enver Topalli në Suedi
Në kuadër të vizitës zyrtare në Suedi, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh Koordinator për Organizimin e PDK-së në Mërgatë, Elmi Reçica, së bashku me kryetarin e Ferizajt, Agim Aliun, kanë vizituar familjen e heroit të Kosovës, Enver Topalli.
Deputeti Reçica dhe kryetari Aliu, në familjen e heroit të Kosovës, Enver Topallit, u pritën nga bashkëshortja e heroit, Halimja, bijtë dhe vëllai i heroit, me ç’rast diskutuan për gjendjen aktuale në Kosovë si dhe për Mërgatën tonë, sfidat e tyre, integrimin në shoqërinë ku ata jetojnë, si dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Postimi i plotë i deputetit Reçica:
Gjatë vizitës zyrtare në Suedi, së bashku me Agimin, në Halmstad, vizituam familjen e veprimtarit emblematik të lëvizjes kombëtare, ish të burgosurit politik, Heroit të Kosovës, Enver Topallit.
U mirëpritëm nga gruaja e Enverit, Halimja, djemtë Loriku, Edliri dhe vëllai Avniu.
Patëm kënaqësinë që të bashkëbisedonim për shumë çështje në përgjithësi dhe në veçanti për gjendjen aktuale në Kosovë si dhe për Mërgatën tonë, sfidat e tyre, integrimin në shoqërinë ku ata jetojnë, si dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Në këtë kohë krize ekonomike që po përjeton Kosova, Mërgata po vazhdon të jetë njëri nga burimet kryesore të financimit dhe mbajtjes gjallë të shumë familjeve në Kosovë.