Deputeti Reçica e përshkruan emocional udhëtimin katërditor në komunitetin arbëresh në Itali (foto)
Deputeti Elmi Reçica, njëherësh udhëheqës i Departamentit të Diasporës në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) së bashku me kolegun e partisë Enver Hoxhaj kanë qëndruar për vizitë në Itali, ku kanë vizituar vendbanimet e arbëreshëve.
Ai ka shkruar në “Facebook” se bota është bërë shumë e vogël nga mundësitë e shumta të cilat ofrohen sot.
Sipas Reçicës, vizita katërditore në Itali në vendbanimet e arbëreshëve të lashtë që përmbi 550 vite ruajtën gjuhën, kulturën, traditën dhe gjithçka shqiptare ishte emocionale, raporton “Epoka e re”.
“Mundesh që për katër ditë të vizitosh vende shumë të rëndësishme të cilat nuk ke mundur t’i vizitosh për decenie të tëra. Së bashku me mikun e kolegun Enver Hoxhaj dhe me miq të përbashkët bëmë një shëtitje shumë të këndshme e përmbajtësore nëpër trojet shqiptare, të cilat kanë një histori sa të bujshme aq edhe tragjike. Filluam me Pargën historike, vazhduam në Igumenicë, kaluam Jonin e Adriatikun, matanë na prisnin vendbanimet e arbëreshëve të lashtë që përmbi 550 vite ruajtën gjuhën, kulturën, traditën dhe gjithçka shqiptare. Mahnitëse vërtet!”.
“Filluam në Catanzaro, me qytetin më të madh në Kalabri, me një të kaluar shumë interesante të cilën e dëshmonin monumentet e shumta, vazhduam në rrethinat e qytetit, në vendet kodrinore ku gjenden fshatrat e banuara me arbëresh, si Craffa, në shqip Garrafë, në Vena di Maida, në arbërisht Vinë, Gizzeria e vendbanime të tjera të arbëreshëve të lashtë”, ka shkruar Reçica.
Ai ka thënë se pastaj vazhduan në Cosenza, ku panë qendrën e qytetit dhe shumë monumente të ndryshme historike.
“Pastaj, vazhduam në vendbanimin më të rëndësishëm kulturor e historik të arbëreshëve dhe shqiptarëve në tërësi, në San Demetrio Corone ose Shën Mitri, në vendin ku ka lindur, jetuar, punuar e ndërruar jetë, i madhi Jeronim de Rada. Në Macchia apo në shqip Maqi dhe Shën Dhimitër Coronën, në Kolegjin e famshëm të Shën Adrianit, takuam shumë arbreshë, zyrtar shtetëror, profesor të nderuar që mbajnë gjallë gjuhën dhe traditën e arbëreshëve, vajza të reja që na tregonin historinë”.
“Nga aty së bashku me profesoreshën e nderuar Emilia Conforti ishim në një vendbanim shumë të rëndësishëm arbëresh, në San Benedetto Ullano ose Shën Benedhitin, ku pamë shtëpi e kisha, prekëm nga afër historinë dhe takuam arbëresh, prodhues të vajit të ullirit që me këmbëngulësi flisnin gjuhën e arbëreshëve dhe me fanatizëm ruanin traditat. Udhëtimi ynë në trojet shqiptare dhe vizitat në komunitetin arbëresh, patën një impakt emocional të jashtëzakonshëm. Eksperienca jonë në këto vende na ofroi një pamje të pasur të historisë, kulturës dhe traditës së pasur shqiptare, duke na bërë të ndjehemi të privilegjuar për të njohur dhe përjetuar gjëra kaq të rëndësishme”, ka thënë Reçica.