Deputeti Shabani bashkëbisedoi me nxënës të shkollave fillore “Shaban Shala” dhe “Enver Maloku” të Podujevës
Forumi për Transparencë Parlamentare, në kuadër të Programit për Edukim Qytetar dhe në bashkëpunim me NDI, mbajti të mërkurën aktivitetin “Ballë për ballë me deputetin” me nxënës filloristë të shkollave “Shaban Shala” dhe “Enver Maloku” të Podujevës.
Në këtë aktivitet i pranishëm ishte deputeti Isak Shabani, i cili nëpërmjet bashkëbisedimit me nxënës, shpalosi punën e institucionit ligjvënës, Kuvendit të Kosovës, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit dhe edukimit të nxënësve për ligjet dhe mënyrën e funksionimit të këtij institucioni.
Lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e deputetëve, duke ndarë përvojat e tij si ligjvënës, deputeti Shabani foli rreth funksioneve dhe kompetencave të Kuvendit, punën e komisioneve parlamentare, aspekte të mbikëqyrjes së ligjeve, si dhe rreth rëndësisë së të drejtave dhe lirive të fëmijëve, duke përfshirë të drejtën për arsimim dhe të drejtën për të kultivuar një mjedis të sigurt në mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave dhe lirive të fëmijëve, në funksion të zhvillimit të demokracisë e të shtetit, për të gjithë pa dallim.
Tutje pasoi debati me ç’rast nxënësit filloristë patën mundësinë që të shtronin pyetjet e tyre, duke u interesuar të dinin më shumë rreth angazhimit të deputetit në jetën parlamentare, si dhe për çështje tjera lidhur me zhvillimet në jetën shoqërore e institucionale.
Filloristët morën përgjigjet nga ana e deputetit Shabani në pyetjet e parashtruara.
Nga nxënësit pjesëmarrës takimi me deputetin Shabani u vlerësua si një mundësi e mirë për të kuptuar më mirë funksionimin e sistemit ligjor dhe për të zgjeruar njohuritë rreth procesit legjislativ.