Deputeti Shala: Dr. Hafir Shala, njëri prej figurave më të veçanta historike
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se doktor Hafir Shala, mbetet njeri prej figurave me të veçanta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Shala në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se dr.Hafir Shala shumë shpejt do të bëhet me shtatore.
“Emri dhe vepra e doktor Hafir Shalës i bëjnë nder të veçantë kategorisë së të burgosurve politikë dhe lartëson në piedestalin më të lartë kontributin e të gjithë mantelbardhëve që u angazhuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Shala.
Postimi i plotë i Shalës:
Ai po vjen!
I gdhendur në bronz, dr. Hafir Shala kthehet për të mos u larguar asnjëherë, aty ku 23 vite më parë ju ndërpre kontributi i tij në shërbim të popullit, aty ku ia ndaluan ëndrrën për liri, aty ku dikur ishte në krye të misionit të tij prej profesionisti dhe atdhetari, aty sot ai kthehet i përjetësuar pranë kolegëve, popullit, Drenicës dhe mbarë Kosovës, për të vazhduar misionin si mburojë e lirisë dhe pavarësisë.
Doktori i orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dr. Hafir Shala, ishte një prej figurave më të veçanta historike, i cili me guximin e tij e shënoi njërën nga faqet më tragjike dhe më krenare të historisë së Kosovës: të sakrificës së madhe, të shpresës dhe qëndresës.
Në kujtimet e të gjallëve dr. Hafiri, do mbetet përherë një shembull unik i njeriut të dashur dhe të përzemërt për shokët dhe idealin, një shpirt i përbetuar humanisti, një intelektual dhe atdhetar i pashoqë, një trim i vendosur që të paguante çmimin e lartë të kauzës së lirisë duke vënë në shërbim të atdheut tërë qenien e tij prej profesionisti dhe patrioti.
Emri dhe vepra e doktor Hafir Shalës i bëjnë nder të veçantë kategorisë së të burgosurve politikë dhe lartëson në piedestalin më të lartë kontributin e të gjithë mantelbardhëve që u angazhuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.