Deputeti Shpëtim Idrizi paralajmëron largimin nga opozita, nëse vazhdohet mbështetja e Belerit
Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, e ka bërë të qartë se forca e tij politike (kryesisht përfaqësuese e komunitetit çam), do të largohet nga opozita shqiptare, nëse kjo e fundit vijon të mbështesë aktivisht Fredi Belerin në betejën e tij ligjore, pasi është në gjykim për shit-blerje votash, lidhur me fushatën zgjedhore të 14 majit 2023, kur ai fitoi Bashkinë Himarë.
Beleri, kështu, jo vetëm që krijoi një incident të rëndë diplomatik mes Shqipërisë dhe Greqisë, edhe në nivel institucional të lartë, por po krijon edhe përçarje brenda opozitës.
Këto shenja, u dhanë që prej zgjedhjeve, ku Idrizi nuk i mbështeti kandidatët e opozitës aktivisht në zgjedhjet vendore. Madje, në disa zona, nxorri edhe kandidat të tijët.
Por tashmë ai e ka bërë të qartë qëndrimin.
Fillimisht, Idrizi e ka shpjeguar se brenda çështjes së PD-së, PDIU-ja nuk mban anën e askujt, edhe pse pranon se tre vjet kaq problematike i bëjnë dëm vendit.
Teksa, sa i takon koalicionit opozitar, Idrizi shtjelloi se në zgjedhjet e fundit, PDIU nuk u ftua, sepse ishte bërë marrëveshja me Belerin.
Nëse kjo marrëveshje vijon ende, në vitin 2025 ai ka thënë se do të garojë i vetëm në zgjedhje, me listë të plotë të PDIU-së, pa u përfshirë në koalicion me askënd.
Ndërsa, mbi një bashkëpunim të mundshëm me mazhorancën, ai ka rrëfyer se sipas tij, nuk ka nevojë, pasi vetë mazhoranca kaq e fortë nuk ia ka nevojën askujt, në kushtet kur opozita është kaq e përçarë.