Deputeti shqiptar në Kantonin e Bernit: Kurti përfaqëson një politikë nacional-socialiste që paraqet rrezik serioz për Kosovën
Korab Rashiti, deputet në kantonin e Bernit në Zvicër, ka kritikuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Rashiti, i cili në vitin 2022 ishte bërë shqiptari i parë që zgjidhet deputet nga partia SVP/UDC në nivel kantoni, ka thënë se Kurti i ka përkeqësuar raportet me Shqipërinë, BE-në, Amerikën e Maqedoninë.
Këtë postim Rashiti e ka bërë në rrjetin e tij social “Facebook”.
“Albin Kurti përfaqëson një politikë nacional-socialiste që paraqet rrezik serioz për Kosovën. Kulti i personalitetit krijuar prej tij mund të mashtrojë njerëzit, siç na mëson historia. Nën udhëheqjen e tij, marrëdhëniet me BE-në, Shqipërinë por edhe Maqedoninë janë përkeqësuar, edhe ato me administratën Trump pritet të përkeqësohen më tej. Albin Kurti, qoftë me vetëdije apo pa të, po forcon ata që po pretendon se i lufton. Një patriot i vërtetë, që nuk bie pre e mashtrimeve apo sofizmave, nuk duhet ta mbështesë atë në zgjedhjet e viti 2025”, ka shkruar Rashiti.
Kësaj fotografie ai ia ka bashkëngjitur edhe disa fjalë në profilin e tij.
“Për të gjithë me dy nënshtetësi , që duan Zvicrën dhe një të ardhme të begatë për vendin e paraardhësve, kam një mesazh të sinqertë për ju! Historia na mëson: për të ecur përpara, duhet të sfidojmë dogmat dhe të dalim mbi gënjeshtrat. Omerta dhe heshtja janë kanceri i demokracisë; pa lirinë e shprehjes, nuk ka demokraci!”, ka shkruar ai.
Korab Rashiti, i lindur me 05 korrik 1986 në qytetin Morges, Kantoni Vaud, Zvicër, në vitin 1987, bashkë me familjen është vendosur në Biel/Bienne të Kantonit të Bernës. Në këtë qytet ka kryer shkollën fillore dhe të mesme dhe më vonë e ka kryer MBA (Master Business Administration). Pastaj një vit ka qëndruar në ShBA për studime ekonomike. Aktualisht është anëtar i institutit Mises (të Shkollës Ekonomike Austriane).
Në prononcimin për platformën albinfo.ch, Korabi kishte vënë theksin në përkushtimin e pritshëm të tij sa i përket pozitës së komunitetit shqiptar në kantonin e tij, në rast të zgjedhjes.
Kështu ishte shprehur ai ntervistën që albinfo.ch pati zhvilluar me të, pak para zgjedhjeve, në mars të këtij viti.
“Sa i përket interesimit dhe angazhimit tim konkret rreth komuniteteve të huaja dhe sidomos rreth komunitetit shqiptar në Zvicër, prioritetet e mia janë të shumta: Ka kohë që jam duke debatuar për krijimin e një Grupi Parlamentar për Kosovën (GPK). Mendoj se ky Grup Parlamentar do të lobonte për lidhje më të forta institucionale në mes Zvicrës dhe Kosovës. Një prioritet tjetër imi është afrimi, bashkëpunimi dhe binjakëzimi në mes komunës së Bernës dhe komunës së Prishtinës. Gjithashtu do të punoj që ky binjakëzim të ndodhë edhe me komunat tjera të Kantonit të Bernës dhe të Kosovës”, kishte thënë ai.