Deputeti Tahiri jep lajmin: Adnan Dibrani, eurodeputeti i parë shqiptar nga Kosova
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri dhe tashmë eurodeputeti Adnan Dibrani
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka njoftuar se një ulëse në Parlamentin e Evropës e ka fituar edhe një shqiptar nga Kosova, Adnan Dibrani.
Tahiri bëri të ditur se rezultatet preliminare në Suedi tregojnë se Dibrani ka fituar mandatin e eurodeputetit për pesë vjetët e ardhshëm.
“Rrezultatet preliminare dhe raportimet e mediave suedeze po tregojnë se, z. Adnan Dibrani, është shqiptari i parë nga Kosova që ka fituar mandatin e eurodeputetit dhe nga sot, në 5 vitet e ardhshme do të jetë eurodeputet në Parlamentin e Evropës”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas deputetit të AAK-së, Dibrani ka lindur në Mitrovicë dhe si i ri ka emigruar në Suedi.
“Përndryshe, Adnani për tri mandate ishte deputet në Parlamentin e Suedisë dhe po ashtu ishte përfaqësues në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku e ndihmoi shumë”, ka shtuar ai.