Deputeti Uka: Duhet bërë më shumë për personat me aftësi të veçanta
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, në fjalën e tij në Kuvend, ku po diskutohet për të drejtët e personave me aftësi të kufizuara, ka thënë se megjithëse legjislacioni ua mundëson shkollimin dhe punësimin, qeveritë e dobëta e të pandjenja, përfshirë disa deputetë që ende janë edhe në këtë legjislaturë e që flasin në këtë debat, kanë votuar kundër asistentëve nëpër shkolla për personat me aftësi të veçanta.
“Duhet më shumë punë e më pak fjalë, më shumë mbikëqyrje e zbatim të legjislacionit edhe në punësim, pasi ligji thotë që për 50 të punësuar një duhet të jetë me nevoja të veçanta. Qeveria po vazhdon ta neglizhojë si sektorin privat si atë publik në këtë pikë”, ka thënë Uka, raporton “Epoka e re”.
Ai ka theksuar se: “Asnjë nevojë e veçantë nuk mund ta definojë një person, secili person është unik dhe ata i definon vetëm puna dhe angazhimi i tyre. Por nevojat e veçanta mund ta bëjnë të vështirë jetën e një personi prandaj duhet mbështetja e të gjithëve për ta mundësuar këtë rrugëtim të tyre, jo vetëm këtë ditë por secilën ditë të tyre”, është shprehur Uka në seancën e sotme ku ka filluar debati për personat me nevoja të veçanta.