Deputeti Zafir Berisha: Dialogu me Serbinë është në rrugë të gabuar
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka thënë se dialogu me Serbinë është në rrugë të gabuar.
Për të pasur sukses ky proces, ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se faktori politik duhet t’i unifikojë qëndrimet, në të kundërtën këto bisedime bartin rreziqe serioze për Kosovën dhe rajonin.
“Bisedimet me Serbinë janë në rrugë të gabuar, sepse gabimi trashanik i Kosovës ka qenë që në fillim kur në Bruksel është biseduar për vendin tonë dhe për problemet e brendshme me një shtet fqinj i cili ka bërë gjenocid ndaj qytetarëve shqiptarë. Me një fjalë, Serbinë, të cilën e kemi larguar me luftë, politika e papërgjegjshme e ka kthyer përsëri si faktor me të cilin duhet të diskutohet. Kosova në vitin 2008 e ka shpallur pavarësinë dhe nuk e di pse me Serbinë është dashur të flitet, ta zëmë, për urën në Mitrovicë dhe për shumë çështje të tjera që i takojnë Kosovës”.
“Deklarata e Vuçiqit, se ‘duhet të fitoj diçka nga bisedimet dhe duhet bërë kompromis me Kosovën’, është një tregues për logjikën millosheviqiane të politikës zyrtare të Serbisë në raport me Kosovën. Por këtu mendoj se edhe Hashimi ka shkelur në ‘dërrasa të kalbura’, siç thotë populli, i cili me akrobacionet politike i ka dhënë mundësi Serbisë të bëhet faktor në tavolinë, që tash të qesë edhe kushte sikurse Kosova të jetë provincë e saj dhe jo shtet i pavarur. Për të pasur sukses në këtë përballje politike faktori politik dhe institucional fillimisht duhet t’i bashkojnë qëndrimet mes vete në përputhje me rendin kushtetues, pastaj të futen në përballje me Serbinë. Përndryshe, kështu si jemi aktualisht, bisedimet me Serbinë bartin rreziqe serioze për Kosovën dhe rajonin”, ka deklaruar Berisha për gazetën “Epoka e re”.