Deputeti zviceran dhe veprimtari Sali Bislimi planifikojnë vizitë te Thaçi në Hagë
Sali Bislimi, veprimtar dhe drejtor i organizatës “Zëri Perëndimor i Kosovës”, ka qëndruar sot në Parlamentin e Zvicrës, me ftesë të parlamentarit Laurent Wehrli.
Ai ka shkruar në “Facebook” se vizita e tij në parlamentin zviceran kishte të bënte me zhvillimet në Kosovë, rreth Gjykatës Speciale dhe për shqiptarët në këtë shtet.
“Një ditë në Parlamentin Zviceran për Kosovën, kisha kënaqësinë të jem i ftuar nga parlamentari Laurent Wehrli, me të cilin i bisedova të gjitha çështjet që lidhen mes Kosovës dhe Zvicrës, komunitetin tonë këtu, partneritetin ekonomik mes dy vendeve tona. Takimet vazhduan me shumë të tjerë, miku im dhe i Kosovës Reto Nause, që jemi në pritje të përgjigjes të qeverisë për interpelancën e deponuar në Parlament, dhe u dakorduam që në të ardhmen e afërt të shkojmë së bashku për një vizitë te presidentit Thaçi në Hagë. Kënaqësi ishte bashkëbisedimi edhe me parlamentarët Jacques Nicolet, Nicolas Kolly dhe mikun tim që takova rastësisht Didier Receveur. Për Kosovën me Kosovën”, ka shkruar Sali Bislimi.