Deputetja Albulena Haxhiu bën thirrje për unitet brenda Vetëvendosjes
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se ka shqyrtuar vendimin e dorëheqjes nga Kryesia e kësaj lëvizje në shtator të vitit të kaluar.
“Dorëheqja ime ka ndodhur në muajin shtator të vitit të kaluar, por sot jam më e qartë se kurrë mbi atë çka ka ndodhur e çfarë po ndodh në Lëvizje, prandaj e kam rishqyrtuar vendimin tim.
Unë do të jem në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë dhe do të angazhohem në zgjidhjen e problemit, kudo në secilin organ. Mendoj që ata aktivistë e anëtarë që ia duan të mirën Lëvizjes, duhet të veprojnë njësoj, sepse këtë ua kemi borxh qytetarëve dhe aktivistëve”, ka shkuar Haxhiu në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Haxhiut:
Javën e shkuar, në mbledhjen e fundit të Kryesisë është marrë vendim që të gjithë anëtarët që kanë dhënë dorëheqje nga Kryesia, të shqyrtojnë vendimin e tyre me mundësinë e rikthimit.Duke pasur parasysh rrethanat, unë e konsideroj të drejtë këtë vendim
Gjatë kësaj kohe Lëvizja ka kaluar në periudha jo të lehta dhe qytetarët në forma të ndryshme na kanë shprehur shqetësimet e tyre mbi atë çfarë po ndodh në Lëvizje.
Meqë jemi duke kaluar këtë periudhë jo të lehtë, është e qartë se sfidat nuk rregullohen duke hequr dorë por duke u angazhuar drejtpërdrejtë e aktivisht.
Dorëheqja ime ka ndodhur në muajin shtator të vitit të kaluar, por sot jam më e qartë se kurrë mbi atë çka ka ndodhur e çfarë po ndodh në Lëvizje, prandaj e kam rishqyrtuar vendimin tim.
Unë do të jem në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë dhe do të angazhohem në zgjidhjen e problemit, kudo në secilin organ dhe mendoj që ata aktivistë e anëtarë që ja duan të mirën Lëvizjes, duhet të veprojnë njësoj sepse këtë ua kemi borxh qytetarëve dhe aktivistëve.
Jashtë demokracisë së brendshme dhe organeve të zgjedhura vendimmarrëse nuk mund të ketë asnjë lloj zgjidhje për cilëndo sfidë.
Gjatë javëve në vazhdim, ne na presin sfida të mëdha përfshirë këtu demarkacionin e Gjykatën Speciale dhe vetëm duke u përpjekur bashkërisht, ndalohen projektet e dëmshme për vendin dhe Lëvizja rritet e fuqizohet!