Deputetja Balaj-Halimaj: Gratë si Vasfija janë shembulli i forcës e i vullnetit për liri e jetë
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë se Vasfije Krasniqi duhet të vijë në Kuvend pa iu dridhur zëri sa herë që ndjen nevojën t’u drejtohet deputetëve.
Ajo ka falënderuar Vasfijen që ka ndarë përjetimin e saj me të gjithë. Ajo ka thënë se ajo është arsyeja e jetës së shumë grave tjera.
Deputetja e Nismës ka thënë se sot janë mbledhur në Kuvend për të folur për një temë e cila është shumë e dhimbshme.
“Vasfija dhe mijëra vajza dhe gra tjera u ballafaquan me mizorinë e dhunimit nga forcat kriminale te shtetit të Serbisë gjatë luftës të viteve 1998-1999! Ne në moshën e saj kemi menduar se cilat nga atletet janë në trende për t’i blerë, ndërsa Vasfija dhe vajzat e asaj kohe kanë kryer shkollim me një palë këpucë nga ato të zezat që nuk i donte askush, por që ishin të detyruara t’i mbathnin”, ka thënë ajo në seancën e sotme të Kuvendit.
Ajo ka thënë se sot ato heroina na kanë motivuar gjeneratën time e atë të ardhshme që të edukohemi e të jetojmë me gjithçka që kemi.
“Njoh shumë burra e gra që kanë ndërprerë shkollimin e tyre duke mos pasur çka të veshin e mbathin. Ne sot zgjedhim modelet falë atyre që dje luftuan. Prandaj, Vasfija e mijëra gra të dhunuara seksualisht janë heroinat tona. Ato heroina na kanë hapur rrugë që ne sot të jemi në një liri, e që ketë liri nuk do ta ndërrojmë me asgjë në botë”, ka shtuar ajo.
Gratë shqiptare si Vasfija, thotë ajo, do të jenë shembull i forcës e i vullnetit për liri e jetë.
“Gruaja shqiptare si ajo është grua me moral më të lartë se vet morali. Gratë shqiptare, janë shembull i rezistencës, janë shembull i moralit, janë shembull i familjes. Gratë shqiptare janë gra e nëna të pamposhtura”, ka shtuar ajo.