Deputetja Deliu-Kodra, ministres Haxhiu: Shihemi në gjykatë!
Pas shkarkimit nga pozita e anëtares së Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se pretendimet e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu janë shpifje dhe manipulime.
Ajo ka kërkuar nga ministrja Haxhiu që t’i përgjigjet fizikisht në gjykatë padisë së saj, teksa është shprehur: “Shihemi në gjykatë Albulenë – zyrtarisht të barabarta”.
“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vazhdoi dje fshehjen e së vërtetës së saj nëpërmjet gënjeshtrës ndaj meje. Klasike. Pas njollosjes publike, vjen shkarkimi politik. Si në pushtetet autoritare. Pretendimet e zonjës Haxhiu janë shpifje dhe manipulime. Ato do të dëshmohen edhe në gjykatë, ku ftoi ministren që t’i përgjigjet personalisht dhe fizikisht padisë sime. Pretendimet e zonjës Haxhiu, përveç se sulme të pushtetit ndaj opozitës, janë edhe sulme personale me motive politike. Shihemi në gjykatë Albulenë – zyrtarisht të barabarta. Pa gishtat e anëtarëve të Komisionit! “, ka shkruar Deliu-Kodra në “Facebook”.
Me kërkesë të ministres Haxhiu, deputetja Kodra-Deliu është shkarkuar dje nga pozita e anëtares së Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Në arsyetimin e Ministrisë së Drejtësisë është thënë se deputetja Deliu-Kodra, ka munguar në 9 nga 16 mbledhjet e komisionit që janë mbajtur në periudhën 2022-2023 dhe përkundër mospjesëmarrjes së saj është kompensuar nga buxheti i shtetit në shumë prej 2351 euro.
Një padi për shpifje ndaj ministres Haxhiu, deputetja Deliu e kishte dorëzuar më 8 shtator të këtij viti.