Deputetja Deliu: Shkaktar për rënien e dy qeverive ishte dialogu
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se shkaktarë për rënien e dy qeverive paraprake konsiderohet se kanë qenë mospajtimet mes partnerëve të koalicionit rreth çështjes së dialogut.
“Qeveria e fundit nuk i përballoi këtij presioni më shumë se 50 ditë dhe mospajtimet rreth qasjes dhe menaxhimit të çështje së dialogut rezultuan rënien e saj. Prandaj, pas këtyre dy përvojave ka qenë absolutisht e papërgjegjshme të krijohet një qeveri e radhës pa pajtimin paraprak rreth dialogut”.
“Shpërthimi i përplasjeve të fundit publike mes partnerëve të koalicionit dëshmon qartë se ata nuk e kanë dakorduar paraprakisht këtë çështje, gjë që demanton arsyetimin thelbësor mbi të cilën kanë krijuar qeverinë”, ka shkruar Deliu.
Ajo ka theksuar se qeveritë duhet ta trajtojnë dialogun si agjendë kombëtare ku përfshinë gjithë faktorët politik dhe publik, përndryshe do ta kenë fatin e njëjtë, të shkurtër. Kryeministri duhet të përçojë qartësinë politike të Kosovës në takimet e dialogut e jo dilemat e saj”, ka thënë deputetja Deliu.
(M.Q / Epoka e re)