Deputetja e AAK-së kërkon që gjatë Ramazanit të hiqet ora policore
Deputetja e Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka kundërshtuar orën policore si masë e vendosur nga qeveria kundër përhapjes së pandemisë.
Kadrijaj e ka quajtur të panevojshme orën policore sidomos në muajin kur besimtarët myslimanë agjërojnë Ramazanin.
“Rishikimi i masave të reja nga Qeveria e Kosovës nuk sjell ndonjë dobi në të mirë të qytetarëve siç nuk ka ndryshuar asgjë në dy javët e kaluara. Sidomos e është panevojshme ora policore gjatë natës kur tani jemi në Muajin e Shenjtë të Ramazanit dhe qytetarët që agjërojnë kanë nevojë të shërbehen me ushqime që i praktikojnë gjatë këtij muaji. P.sh: në syfyr nuk shkon gjithë familja në furrë, por një pjesëtar i familjes dhe nuk krijohen masa të mëdha të njerëzve”, ka shkruar Kadrijaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ajo ka thënë se nëse qeveria nuk mund t’i ndihmojë qytetarët, të paktën mos t’i pengojë ata.
“Andaj për respekt të muajit Ramazan, kërkoj nga Qeveria e Kosovës të rishikojnë vendimin për orë policore, ta heqin krejt ose të vendosin në vend të orë 5:00 në ora 2:00. Nëse nuk mund të iu ndihmojmë më shumë atëherë të paktën mos ‘ti pengojmë të paktën gjatë këtij muaji kur e dimë që shumë qytetarë janë gjobitur me nga 200 euro për një pitalkë ose një byrek që janë shërbyer gjatë orës policore”, ka shkruar ajo.