Deputetja e AAK-së e quan skandaloz vendimin për shkarkimin e 12 ambasadorëve
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë që vendimi për lirimin e 12 ambasadorëve ka qenë i paprecedent dhe i papjekur politikisht.
“Vendimi i Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për lirimin nga detyra të ambasadorëve të Kosovës është i paprecedent dhe i papjekur politikisht”, ka thënë ajo në një konferencë për medie, duke shtuar se ky vendim do të ketë ndikim negativ në politikën e jashtme të Kosovës.
“Për vendimin skandaloz të ministres së Punëve të Jashtme, kam kërkuar nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme që ministrja të përgjigjet para komisionit për fshesën e zezë dhe për planin për shkarkim të këtyre ambasadorëve”.
“Është e papranueshme që në një shtet demokratik rreth 12 ambasada në një kohë të ndjeshme të mbesin pa përfaqësim në vende të tjera”, është shprehur Kadrijaj.