Deputetja e AAK-së: Për pak pushtet, Albin Kurti po shkelë mbi gjithçka
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për pak pushtet është duke shkelur mbi gjithçka.
Ajo ka thënë se Kurti është duke i kërcënuar deputetët me arrestime, ndërsa Aleksandër Jabllanoviqit, i cili ka fyer nënat gjakovare, i ka dhënë leje për lëvizje të lirë në kohë pandemie.
“Për pak pushtet Albin Kurti po shkelë mbi gjithçka. Po kërcënon deputetët me arrestime ndërsa Jabllanoviqit që fyu nënat gjakovare i jep leje për lëvizje të lirë. Po i hap rrugët Serbisë për të hyrë në Kosovë, por mbi të gjitha citoi Kushtetutën e Serbisë në kërkesën e vet në Gjykatë Kushtetuese. Kjo kushtetutë, e cila në Nenin 182 të saj përcakton se ‘Kosova është pjesë e Serbisë’, në asnjë formë kjo kushtetutë nuk duhet të citohet për pak pushtet. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe as një parti politike e as ndonjë institucion nuk duhet të iu referohet një dokumenti që Kosovën nuk e njeh si shtet. Turpi i juaj për pushtet nuk ka te ndalur!”, ka shkruar Kadrijaj në llogarinë e vet në “Facebook”.