Deputetja e LDK-së: Kosova në “Open Ballkan”, vetëm me njohje nga Serbia
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po e konsideron të drejtë mospjesëmarrjen e Kosovës në iniciativën “Open Ballkan”, iniciativë kjo nga tre udhëheqësit ballkanik: Aleksandar Vuçiq, Edi Rama dhe Zoran Zaev, raporton Ekonomia Online.
Kësisoj, deputetja e kësaj partie, Rrezarta Krasniqi, thotë për Ekonomia Online, se një gjë e tillë duhet të ndodh vetëm atëherë kur shtetet anëtare njihen reciprokisht mes vete.
Ajo thotë se qëndrimi i LDK-së është se fillimisht të ndodh njohja, e pastaj bashkëpunimi i nismave të tilla.
“’Open Ballkan’, do të njihet atëherë kur do t’i paraprihet me njohje politike secilit ndaj secilit, këtë rast Serbia nuk e njeh Kosovën. Qëndrimi i LDK-së është njohja para bashkëpunimit pa kufi”, ka thënë ajo.
Kritika ka edhe për qëndrimin e Shqipërisë karshi kësaj iniciative. Ajo thotë se për 30 vjet, asnjëherë më parë, Kosova e Shqipëria nuk kanë pasur qëndrime të kundërta, raporton EO.
“Për herë të parë në 30 e sa vjet bashkëpunimi përballë Serbisë, Kosova dhe Shqipëria ka qëndrime të kundërta, pra nuk e kanë një qëndrim dhe një mendim. Kosova duhet të përfshihet në bashkëpunime rajonale, atëherë kur njihet si shtet i barabartë, shtet sovran, i njohur ndërkombëtarisht. Çdo nismë tjetër atëherë do t’i dëmtojë raportet tona nacionale dhe të gjitha raportet tjera të shqiptarëve në rajon”, ka thënë ajo.
“Unë mendoj se ‘Open Ballkan’ duhet të jetë pjesë kur ndodh dialogu, dhe vetëm me njohje reciproke. Kosova duhet të hyjë në këtë iniciative vetëm atëherë kur të ndodh njohja nga Serbia, pra ky është qëndrim i LDK-së”, ka thënë Krasniqi.