Deputetja e LDK-së: Na qenkan ekzaltuar sërish pushtetarët me sondazhe
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj sondazheve të fundit ku LV-në e nxjerrin sërish subjekt të parë dhe atë mbi 50 për qind, e LDK-në subjekt të tretë.
“Na qenkan ekzaltuar – sërish – pushtetarët me sondazhe. Këtë herë paskan treguar gjenerozitet, na paskan ulur vetëm në 16%. Me sondazhe mund të na ulin edhe më shumë, do ta bejnë javëve në vijim, por realiteti ndryshon nga sondazhet e tyre”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.
Ajo ka shkruar se sa herë që ka një krizë, qeverisë i vjen një sondazh i ri.
“Herën e kaluar në ditën e faturave dyfysh të energjisë elektirke, këtë herë në periudhën e shpërfaqjës së korrupcionit përmes kontratave sekrete e pazareve në katër sy. Duan të paraqesin një realitet tjetër – fiktiv. Të na thonë se ne jemi vet. Se shumica është me ata – të kënaqur si dikur”, ka theksuar deputeie LDK-së.
Ajo ka thënë se propaganda është mjet i tyre dhe kjo është veçse një mjet.
“Kur flasim për sondazhe kujtoni vetëm pak zgjedhjet lokale. Gjithë ekzaltimin e pushtetit atëherë, gjithë ‘kredibilitetin’ e matësve – një natë para zgjedhjeve. Fundin e dini të gjithë”, ka thënë deputetja Bajrami.