Deputetja e LDK-së: RTK-ja dëshmoi sërish që ka zero rezistencë politike
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për ndikime politike në RTK.
Duke i komentuar emërimet në pozita të larta në RTK, ajo ka bërë me dije se televizioni publik sërish ka dëshmuar se nuk mund t’i rezistoi politikës.
“Pavarësisht që i gjithë qëllimi i buxhetit të RTK është depolitizimi, që s’ka si bëhet përveç pavarësisë financiare. Pra, RTK, dëshmoi sërish që ka zero rezistencë politike. Asgjë e re. Por, pse është kaq zhgënjyese, nëse nuk është e re? Sepse asnjë bord nuk e kishte legjitimitetin politik të të gjitha partive politike në Kuvend, sikurse ky. Sot, secili anëtar i atij bordi që qëndron pasiv, i heshtur e aprovues karshi këtyre fenomeneve, dëshmon që nuk është as afërsisht rezistent sikurse ishim ne në kohën kur i zgjodhëm – kur përkundër tendencave për presione, vendosëm kauzën e meritokracisë, pavarësisë dhe barazisë gjinore para së gjithash. I bartëm sharjet. I bartëm hidhërimet e linçimet e përkrahësve tonë në emër të kësaj. Lehtë nuk ishte kurrë, por ishte e domosdoshme”, ka shkruar ajo në “Facebook”.