Deputetja e LV-së: Papërgjegjësia e deputetëve të caktuar e vë në pikëpyetje funksionalitetin e Kuvendit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka thënë se për shkak të kontakteve që kanë pasur me persona të infektuar me koroanvirus në dy javët në vijim disa deputetë nuk do të duhej të merrnin pjesë në seanca.
“Të gjithë ata që janë në procedurë për testim dhe duhet të jenë në vetizolim, nuk guxojnë të jenë të pranishëm në Kuvend në këtë rast. Fshehja e fakteve të tilla është shkelje e rëndë dhe rrezikim i shëndetit publik”, ka shkruar ajo në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Mulhaxha-Kollçakut:
Nëse këto ditë po bëhet testimi vetëm për kontaktet me simptoma, si dhe vazhdon qëndrimi për vetizolim 14 ditorë të kontakteve të afërta edhe pa simptome, atëherë në seancat në dy javët e ardhshme nuk do duhej të merrnin pjesë shumë deputetë dhe zyrtarë qeveritarë.
Pra, të gjithë ata që janë në procedurë për testim dhe duhet të jenë në vetizolim, nuk guxojnë të jenë të pranishëm në Kuvend në këtë rast.
Fshehja e fakteve të tilla është shkelje e rëndë dhe rrezikim i shëndetit publik.
Në fakt, papërgjegjësia e deputetëve të caktuar e vë në pikëpyetje funksionalitetin e Kuvendit të Kosovës për dy javët e ardhshme.
A thotë kështu manuali apo jo?
Apo ai vlen vetëm për qytetarët e rëndomtë?