Deputetja e LV-së pret që LDK-ja të lëshojë udhë për formimin e institucioneve të reja
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se në këto momente nuk ka prioritet më të madh se sa formimi i qeverisë se re.
Në këtë kontekst, ajo ka thënë se shpreson se LDK-ja do t’i hap rrugë formimit të institucioneve të reja, duke hequr dorë nga kërkesa për postin e presidentit.
“Shpresoj se përfaqësuesit e LDK-së, një parti që e konsideron veten si institucionaliste, do t’i hapin udhë krijimit të institucioneve. Do të marrë përsipër përgjegjësitë që na dhanë qytetarët për të formuar qeverinë, në zgjedhjet parlamentare dhe në harmoni e respektim të Kushtetutës”, ka shkruar Nagavci në llogarinë e vet në Facebook”.
Postimi i plotë i Nagavcit:
Një ditë pas festes se shënimit të 3 dekadave të LDK-së. Urime të gjithë anëtarëve e simpatizantëve të LDK-së!
Në këto momente të rëndësishme për vendin, s’ka prioritet më të madh se themelimi i Qeverisë, se ndryshimi i mënyrës së qeverisjes të cilën e kemi parë që dy dekada tashmë, se jetësimi i vullnetit të qytetarëve, se ndalja me abuzimin që po vazhdon të bëjë me buxhet e vendime të dëmshme, qeveria e dorëhequr.
Shpresoj se përfaqësuesit e LDK-së, një parti që e konsideron veten si institucionaliste, do t’i hapin udhë krijimit të institucioneve. Do të marrë përsipër përgjegjësitë që na dhanë qytetarët për të formuar qeverinë, në zgjedhjet parlamentare dhe në harmoni e respektim të Kushtetutës.
Qeveria LV!-LDK do të ketë shumë punë para vetes, na është dhënë besimi e qytetarët presin të filloj sa më parë jetësimi i programit për të cilin jemi pajtuar tashmë bashkë.
Shpresoj shumë që të arrihet marrëveshja para konstituimit të Kuvendit. Pres që përfaqësuesit e LDK-së dhe deputetët që kanë marrë përgjegjësi nga qytetarët, të jenë aktivistë të vërtet politik, të tillë që pozitën e deputetit e shohin si përgjegjësi, si mundësi për të punuar për të mirën e përgjithshme dhe se me votim të qeverisë do të fillojnë punën në realizimin e përgjegjësive për besimin që kanë marrë.
Na nevojitet një qeveri e ndryshimit që bazohet në mirëbesim e bashkëpunim konstruktiv.
/Epoka e re/