Deputetja e PDK-së: Gërvalla është në gjumë, siç duket edhe Albini e ka përjashtuar nga kabineti
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar ashpër Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Ajo ka thënë se MPJD-ja është kapur dhe po ngulfatet nga 4-5 persona ish-zyrtarë të Ministrisë së Diasporës, të cilët sipas saj nuk kanë asnjë lidhje me politikë të jashtme.
“Donika Gërvalla është në gjumë e siç duket edhe Albini e ka përjashtuar nga kabineti!”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Postimi i plotë:
A kemi ministri të Jashtme?
Në një periudhë mjaft të rëndësishme për Republikën tonë, kur nevojitet punë e madhe siç është lobimi për njohje nga 5 shtetet e BE-së, anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përforcim i ambasadave tona me staf diplomatik e direktiva të qarta nga qendra, ne kemi këtë gjendje faktike:
– Shtete jonjohëse njëra pas tjetrës po deklarohen se qëndrimi i tyre ndaj Kosovës ka mbetur po i njëjti.
– Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare mbetet vetëm një iluzion.
– Ambasadat tona kanë mbetur gjysmë të zbrazura. Edhe ata që kanë marrë “bekimin” e Donikës janë disa që më mirë t‘i kishte mbajtur në Prishtinë.
– MPJD është kapur dhe po ngulfatet nga 4-5 persona, ish zyrtarë të Ministrisë së Diasporës, të cilët veç me politikë të jashtme nuk kanë asnjë lidhje.
Donika Gërvalla është në gjumë e siç duket edhe Albini e ka përjashtuar nga kabineti!