Deputetja e PDK-së kritikon Gërvallën, bën thirrje për lobim intensiv
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se që nga dita e parë kur e ka marrë postin kryediplomatja Donika Gërvalla për ta udhëhequr politikën e jashtme, nuk ka punuar asgjë në këtë drejtim.
Madje, ajo tha se Kosovë duhet të ketë një lobim intensiv sidomos me vendet të cilat nuk na kanë njohur Kosovën.
Sipas saj, është e rëndësishme që Kosova të përgatitet sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
“Unë mendoj që në këtë drejtim nuk është punuar që nga dita kur e ka marrë detyrën kryediplomatja jonë. Vlerësoj që pas datës 24 shkurt kur rendi botëror politik ka pësuar një tronditje ka ndryshuar komplet konteksti i politikbërjes”.
“Mendoj që ne si Kosovë duhet që të kemi një lobim intensiv sidomos me vendet të cilat nuk na kanë njohur. Duhet që të kemi një përgatitje më të madhe sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Kjo jo medoemos do të thotë që BE-ja do i shpejtojë procedurat e anëtarësimit. Këtë na e kanë konfirmuar edhe në Strasburg”.
“Ne si shtete duhet të jemi të përgatitur dhe stafi ynë diplomatik duhet të ketë udhëzime nga qendra sesi duhet të veprojnë. Ata duhet ta shfrytëzojnë këtë kohë në maksimum që ne në bashkëpunim me miqtë tanë të arrijmë të nxjerrim më të mirën për vendin tonë sa i përket anëtarësimit dhe avancimit të Kosovës në sferën ndërkombëtare”, tha Musliu-Shoshi.