Deputetja e PDK-së: Me 10 euro në muaj nuk zbutet varfëria dhe nuk rritet lindshmëria e fëmijëve
“Me 10 euro në muaj nuk zbutet varfëria, nuk rritet lindshmëria e fëmijëve dhe nuk mashtrohet elektorati kosovar”, kështu ka thënë deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Evgjeni Thaçi.
Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka shkruar varfëria nuk mund të zbutet me skema sociale ironikisht të varfra.
“Buxheti i Kosovës nuk mund ta mbaj barrën e secilit politikan që i bie në mend ndonjë ide populiste që do të mund të sillte vota në zgjedhjet e ardhshme, duke mos marrë asnjë përgjegjësi për implementimin e saj. Varfërinë do të mund ta zbuste hapja e vendeve të reja të punës, zhvillimi i sektorit privat dhe nxitja e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, krijimi i kushteve me të mira për investime nga jashtë, sistemi arsimor që i përgjigjet nevojave të tregut të punës, etj”, ka shkruar deputetja Thaçi, raporton “Epoka e re”.
Sipas saj, rënia e lindshmërisë do të duhej të trajtohej në mënyrë pak më serioze dhe kreative. “Nënat e reja duhet të mbrohen dhe stimulohen që të arsimohen dhe të punojnë, e jo të paguajnë çmimin e emancipimit duke mos dashur të lindin me shumë fëmijë; ato mbrohen kur ligji i punës zbatohet në tërësi, duke garantuar mosdiskriminimin e çfarëdo lloji ndaj grave, kur numri i kopshteve publike të jetë i mjaftueshëm për të akomoduar të gjithë fëmijët që kanë nevojë për to, kur qeveria del me politika fiskale dhe kreditore të leverdishme për çifte të reja dhe familje… pra një strategji shtetërore e menduar mirë, për një rezultat afatgjatë e të qëndrueshëm”, ka thënë Thaçi.
Ajo ka shtuar se elektorati meriton me shumë respekt se kaq. “Ndërkohë, elektorati jonë meriton më shumë respekt se kaq, sepse është i vetëdijshëm dhe vlerëson politikanët largpamës, të cilët kanë vizion për vendin dhe qytetarët, dhe nuk mund të kënaqet me politikat tona ad – hoc që nuk çojnë askund”, ka thënë deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi.
/Epoka e re/