Deputetja e PDK-së: Qeveria e lodhtë Hoti dështoi me sigurinë në vend
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka mbajtur të dielën një konferencë për medie, ku ka akuzuar qeverinë Hoti për dështimin e saj në sigurinë e vendit dhe të qytetarëve të Kosovës.
Musliu ka thënë se kjo paaftësi ka bërë që situata të bie në duar të gangsterëve dhe grabitësve në vend.
Ajo ka theksuar se shkarkimi i zyrtarëve profesionistë nga udhëheqja e institucioneve të pavarura e kredibile, dhe mungesa e një plani se çfarë do të veprohet konkretisht në situata dhe rrethana të caktuara, ka krijuar vakum institucional dhe mungesë të autoritetit përkatës shtetëror.
“Kjo qeveri e lodhtë dhe ky kryeministër anemik në dukje, e tepër arrogant në veprime, duhet menjëherë ta ndërprenë mentalitetin primitiv të përndjekjeve dhe të shkarkimeve pa kurrfarë kriteri”, ka thënë Musliu, raporton “Epoka e re”.
Fjalimi i plotë i Musliut:
Të nderuara medie,
Të dashur qytetarë,
Sot ju kemi ftuar për të adresuar një çështje e cila ditët e fundit ka marrë përmasa shqetësuese.
Bëhet fjalë për sigurinë e vendit dhe të qytetarëve të Kosovës, vjedhjet, grabitjet, plaçkitjet, sulmet me armë që po ndodhin gjithandej Kosovës, e me theks të shtuar në Prishtinë.
PDK-ja po i ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit ne vend dhe e konsideron të papranueshme këtë situatë të rrezikshme.
Kjo është situatë me tendencë përkeqësimi të mëtejshëm të sigurisë në vend, dhe e bën përgjegjëse drejtpërdrejt qeverinë Hoti e cila ka qasje jo serioze karshi situatës.
Brenda tri ditëve u raportua për disa vjedhje e grabitje bankash e biznesesh, e deri edhe te arkat humanitare të vendosura tek bizneset e ndryshme dhe libraritë.
Në këto akte, u plagos një polic nga grabitësit dhe u rrezikuan dhjetëra qytetarë të Kosovës.
Mos të flasim për frikën që po përhapet tek qytetarët dhe veçanërisht dëmi që po u shkaktohet bizneseve çdo ditë.
Nëse vazhdon ky trend i përditshëm i sulmeve e vjedhjeve ndaj bankave e bizneseve të vendit, Kosova do të hyjë në një cikël të rrezikshëm të pasigurisë dhe të mbylljes të bizneseve.
Askush nuk do të ketë interesim e as guxim të investoj më në Kosovë nëse nuk ka siguri për jetën e tij, pronën dhe pasurinë.
Të nderuar qytetarë,
Vendi ynë, dekadën e tretë të pasluftës po e fillon duke u përballur me sfida të mëdha.
Një nga këto sfida është edhe çështja e sigurisë në vend.
Degradimi në raport me menaxhimin e këtij sektori filloi me ish qeverinë Kurti e po vazhdon me intensitet nga kjo qeveri e lodhtë dhe ky kryeministër kukull.
Vendi ynë çdo ditë është duke rrëshqitur në një rrugë të rrezikshme të pasigurisë.
Veçmas është krijuar pasiguri e madhe, kur jemi në prag të festave të fundvitit.
Shkarkimi i zyrtarëve profesionist nga udhëheqja e institucioneve të pavarura e kredibile, dhe mungesa e një plani se çfarë do të veprohet konkretisht në situata dhe rrethana te caktuara, ka krijuar vakum institucional dhe mungesë të autoritetit përkatës shtetëror.
Të vetmin plan që shihet që e ka ky kryeministër dhe partia e tij LDK-ja, është që i ka kapur tani të gjitha institucionet kryesore në vend, dhe po vendosë aty njerëz partiak, të padijshëm dhe jo profesional.
Vendi jonë duke kaluar në një krizë të rëndë ekonomike është shndërruar në një arenë vjedhjesh dhe grabitjesh të rrezikshme.
Raportimet e dy ditëve te fundit, apo thënë me qartë komplet javës që lam pas, janë shqetësim që siguria e vendit po kalon në duart e gangsterëve.
Qeveria Hoti është duke bërë përpjekje maksimale që të fshihet mbrapa një sjellje viktimizuese.
Ajo të vetmin qëllim e ka që nesër ta fajësoj dikë tjetër edhe për dështimet në fushën e sigurisë.
Mirëpo përgjegjësia i takon kësaj qeverie.
Kjo qeveri e lodhtë dhe ky kryeministër anemik në dukje, e tepër arrogant në veprime, duhet menjëherë ta ndërprenë mentalitetin primitiv të përndjekjeve dhe të shkarkimeve pa kurrfarë kriteri.
Nuk jemi në pozitë kur mund të lejojmë qe institucionet më të rëndësishme të vendit të mbeten pa udhëheqës dhe të degradohen skajshmërisht.
Shumë pozita udhëheqëse kanë mbetur ose vakant ose me ushtrues detyre, të cilët, siç dihet, janë të hendikepuar në kompetencat e tyre.
Partia Demokratike e Kosovës edhe njëherë shpreh shqetësim për gjendjen e sigurisë në vend, vjedhjet, grabitjet dhe plaçkitjet e shumta që kanë ndodhë e po ndodhin çdo ditë duke e rënduar jetën e qytetarëve dhe duke e sfiduar durimin e tyre.
PDK-ja konsideron se kjo qeveri e lodhtë është e paaftë për të menaxhuar me këtë fushë.
PDK-ja kërkon nga qeveria Hoti që me urgjencë të nderprejë këtë mënyrë të të bërit politike dhe ti mbaj larg duart nga institucionet vitale dhe të pavarura të shtetit.
PDK-ja kërkon që urgjentisht të dilet me një plan konkret dhe të ndalet degradimi dhe abuzimi me sistemin e sigurisë në vend.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ia kujton qeverisë Hoti se Institucionet shtetërore te sigurisë nuk janë asete partiake dhe nuk guxojmë t’i mbyllim sytë e të lejojmë të shkatërrohet investimi me vite shtetit te Kosovës dhe të miqve tanë ndërkombëtarë.
Degradimi ne organet e sigurisë po ndodhë çdo ditë duke larguar ekspert e profesionist e ne vend të tyre po vendosen persona te paafte e jo kompetent, të cilët atribut të vetëm e kanë dëgjueshmërinë ndaj shefit të qeverisë dhe të partisë që ai i takon.